Kur do t’i nënshtrohen nxënësit Testit të Arritshmërisë dhe të Maturës? Flasin nga Ministria e Arsimit

Prishtinë | 28 Pri 2022 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Nxënësit që përfundojnë klasën e 9-të dhe ata që përfundojnë klasën e 12-të, të Shkollës së Mesme, e kanë obligim t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë dhe testit shtetëror të maturës.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për Front Online kanë treguar se testi i arritshmërisë, do të mbahet më 4 dhe 14 qershor, të cilit do t’i nënshtrohen rreth 24 mijë e 500 nxënës në të gjithë Kosovën.

Ndërsa, testi shtetëror i maturës, do të mbahet me 18 qershor, ku do t’i nënshtrohen 24 mijë nxënës të rregullt.

Këtë e ka bërë të ditur për Front Online zëdhënësja e këtij dikasteri, Iliriana Pylla.

“Numri i nxënësve që do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë është rreth 24.500. Ky test pritet të mbahet më datat 4 dhe 14 qershor. Testi i sivjetëm i maturës shtetërore është planifikuar të mbahet më 18 qershor 2022. Numri i maturantëve është rreth 24.000. Vetëm ta qartësojë se këta janë nxënës të rregullt, pasi që mund të ketë edhe një numër nga vitet e kaluara që nuk kanë kaluar provimin e maturës apo nxënës që vijnë nga jashtë Kosovës”, njoftoi Pylla.

Ajo thotë se testi i maturës do të organizohet brenda një dite, ku do të ketë pyetje nga 4 lëndë.

“Testi do të organizohet vetëm brenda një dite dhe përmban 4 lëndë siç janë : 3 të përgjithshme Gjuhë Amëtare, Gjuhë Angleze, Matematikë, kurse lënda e katërt është lëndë zgjedhore”, tregoi ajo.

Përfundimi më sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet.

Ndryshe, përveç testit të maturës dhe atij të arritshmërisë, për cilësi të arsimit 7 mijë nxënës nga Kosova po marrin pjesë në testin PISA, që ka filluar nga 25 prill, e që do të zgjasë deri më 20 maj.

Të ngjashme