Së paku në pesë vitet e fundit, GAP analizon ndarjet buxhetore edhe nga këndi i asaj se si ndahet buxheti për projekte të reja kapitale nga niveli qendror nëpër komuna.
Pa përjashtim, të gjitha partitë që kanë udhëhequr me Qeverinë kanë dërguar më shumë buxhet tek komunat që qeverisen nga partia e njejtë.
Sa herë që është diskutu për projektbuxhetin në Kuvend, deputetët opozitarë i kanë citu raportet e GAP për me mbajtë përgjegjëse Qeverinë për ndarje jo të drejtë të buxhetit. Më së shumti që i kanë citu raportet tona (shumë falemnderit 🙏) kanë qenë deputetët e Vetëvendosjes, të cilët edhe për ma pak buxhet që ka shku për komunat e AAK, LDK e PDK, me të drejtë kanë kritiku qeveritë për anime.
Këtë javë GAP e dëshmoi të njejtën tendencë edhe nga Qeveria e VV. Nga e diela janë qu i madh e i vogël (kryesisht të vegjlit) me denigru GAP (qëllimshëm s’po them kritiku, se kritika e ka njëfar baze e arsyetimi).
Gjithnjë e më shumë po dëshmohet se me këtë Qeveri nuk mundesh me u mar vesh as rreth fakteve. “Gjithkush ka të drejtë të ketë opinionin e tij/saj, por jo gjithkush ka të drejtë të ketë edhe faktet e tij/saj”. E fakt është që kjo Qeveri, sikurse ato që i ka kritiku ma herët, mbi gjysmën e investimeve të reja kapitale nga niveli qendror në atë lokal i ka orientu në komunat që qeverisen nga VV.
Kjo Qeveri po operon me “fakte alternative”, term që u ba i njohur nga këshilltarët e Trump, e që nënkupton që për çdo kritikë që bazohet në fakte, me ju kundërpërgjigjë me disa “fakte alternative”, e që janë të dhëna të shpikura, vetëm e vetëm me kriju konfuzion dhe me e mbajtë në iluzione masën mbështetëse.