“Kur punëtori bjen, inspektori flen”, Asambleja Anti-Kapitaliste proteston për 1 Maj

Prishtinë | 01 Maj 2026 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Asambleja Anti-Kapitaliste me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve ka nisur protestën nga sheshi “Zahir Pajaziti”, drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Me pankarta në duar, “Kur punëtori bjen, inspektori flen”, “Pensione të dinjitetshme”, “Ne punojmë, ata fitojnë”, përfaqësues të Asamblesë Anti-Kapitaliste kanë kërkuar të drejtat e punëtorëve.

Anita Mjeku nga Asambleja Anti-kapitaliste ka përmendur katër rastet e fundit kur punëtorët kanë vdekur në vend të punës dhe që në 10 vitet e fundit numri i viktimave ka shkuar mbi 140.

“Një çerek shekulli ka kaluar prejse ka nisur eksperimenti neoliberal në Kosovë, i cili na ka zhveshur prej dinjitetit edhe qenësisë tonë, e na ka reduktuar thjeshtë në vegla me prodhu pasuri për kapitalin e oligarkëve vendor e ndërkombëtar. E ndërkohë që ne e prodhojmë këtë pasuri edhe e mbajmë barrën kryesore të këtij sistemi, ne çdo ditë vdesim, lëndohemi, ngacmohemi. Mbi 140 punëtorë janë vrarë në vend të punës për këto vite, edhe po, janë vrasje se krejt këto vdekje kanë mujt me u parandalu. 141 njerëz. Hiç më larg se pardje ka vdekur një punëtor në Pejë, një ndërtimtar, një 19 vjeçar para një jave në Gjakovë, një tjetër në Shtime para dy jave, e para katër jave një 44 vjeçar në Ferizaj. Katër punëtorë, katër njerëz, katër frymë për katër javë kanë vdekur duke punuar për me nxjerrë bukën e gojës. E kur po i hapim portalet si me hap shpallje mortore për njerëz që nuk kanë as emër, po janë statistika. Këndej na thonë që mirë është, ekonomia është rritë, rrogat janë rritë, bile edhe rroga minimale është rritë. Po ato statistika s’i kallëzojnë lëndimet, oraret e tejzgjatura, shtypjen edhe shfrytëzimin tonë nëpër punë. Bile edhe ato rroga minimale t’rritura, e që janë rritë në nivel i cili është kërku para dhjetë viteve, është asgjë në krahasim prej asaj qysh janë rritë çmimet nëpër markete, pompa, qiratë e banesave, barna, transporti, rryma e uji. Ne jemi punëtore e punëtorë që punojmë e stërpunojmë nëpër zyra, markete, depo, fabrika, miniera, tokë, e në fund ditës s’na del as për me kalu muajin pa u rrasë në borxhe e kredi. Aq më keq është kur je grua, që mbi krejt këto edhe të shohin fjalë, edhe të përdhosin, edhe të prekin e ngacmojnë, s’di njeriu a me u ruajt prej burrave në zyrë a prej burrave në shtëpi. E mbasi jemi t’u fol për shtëpi, na gjuhet përgjegjësia neve me e mbajt shtëpinë, me i rrit fëmijët, që i bie, na gratë me ua rritë punëtorë e ushtarë të ardhshëm me punu e vdekur për ta. E në fund na thonë, nëse s’pajtohesh dil voto për dikë tjetër edhe ndërro sendet. Po këtë çdo votë, veç e sheh sa shpejt i mohojnë premtimet e veta, i hyjnë pazareve të çuditshme politike e ia nisin me i qëru llogaritë mes vete, me ia mbajt zhagun shefave pronarëve e na mbesim t’habitur e dëshpëruar. Po çfarë peshe ka vota jote që ta kufizon peshën tënde politike në një votë në katër vjet, e ndërkohë veç injorohesh. Në anën tjetër, pronarët, oligarkët ekonomikë, dostat e pushtetarëve kanë qasje direkte te politikanët, ministrat e kryeministrat. E nëse ti çon peshë, ajo peshë është diçka më shumë sesa akt simbolik në sekondat e pendrekut  te policit, ja te e keqja e gjykatësit”, tha Mjeku.

Gjithashtu ajo tha se Qeveria bashkë me Kuvendin po ia mbajnë “zhagun” presidentit të Amerikës, Donald Trump e sipas saj dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza mohon të drejtën e palestinezëve për me vetëvendos.

 “Nëse vota kishte ndërru ndonjë send, ajo ishte kon ilegale. Po kjo nuk është befasi për neve, nuk është as jashtë norme po normë e dizajnuar si e tillë. Kjo është logjika e kapitalizmit, e njëjta logjikë që na mban neve të shtypur e të shtypura, të shfrytëzuar, të vrarë, të lënduar e të papushtetshëm. E neve na vesh ligje, rregulla, moral, ndërsa ato nuk vlejnë për politikanë. Ashtu qysh edhe qeveria jonë me krejt parlamentin, pa përjashtim, për me ia mbajt zhagun një pushteti fashist e pedofilik të Trumpit, që me mujt ai me bë hotele e kazino të veta, vendos me dërgu ushtarë të FSK-së në Gaza, duke e mohuar të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje. Ne i ftojmë shoqet e shokët të organizohen në sindikata radikale, nëpër mahalla, nëpër fakultete, grupet tona shoqërore nëpër qytete e rrugë e ta marrim pushtetin në duart tona. Të vetëorganizohemi në frymë të horizontalitetit, solidaritetit dhe frymës revolucionare kundër patriarkatit, kapitalizmit, shefave pronarëve, kundër homofobisë, ksenofobisë, militarizmit, nacionalizmit e çdo sistemi tjetër shtypës që fut ndasi nëpërmjet neve si klasë punëtore. Ne i ftojmë të gjithë të organizohemi që t’i marrim mjetet e punës, t’i marrim tokat, fabrikat, zyret e rrugët në duart tona, ta krijojmë atë shoqëri për të cilën sot po e thërrasim, një shoqëri të lirë dhe të barabartë. E nëse vota jote është injoru deri tash, rezistenca s’ka me mujt. Vdekje patriarkatit, vdekje kapitalizmit, vdekje oligarkisë, vdekje fashizmit të sionizmit, liri popujve e klasës punëtore”, tha Mjeku.

Të ngjashme