Të bëjmë apo të na bëjnë dhurata – cila na bën më të lumtur?

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 23:30 | Nga Ekonomia Online

Një studim i ri në Journal of Positive Psychology ofron një arsye tjetër bindëse pse shpenzimi i parave për të tjerët na sjell më shumë lumturi sesa shpenzimi i parave për veten tonë.

“Studimet e mëparshme tregojnë se shpenzimi i parave për të tjerët i bën njerëzit më të lumtur sesa t’i shpenzojnë ato për veten e tyre”, deklarojnë autorët e hulumtimit, të udhëhequr nga Hajdi Moche i universitetit Linkoping në Suedi. “Ne e testuam dhe e zgjeruam këtë ide duke ekzaminuar rolin e zgjedhjes aktive kundrejt pasives dhe zgjedhjeve të paracaktuara. Këtu, 788 pjesëmarrës luajtën dhe fituan para në një lojë, nga e cila disa nga fitimet mund të dhuroheshin për bamirësi. Rezultatet treguan se njerëzit që dhuruan para ishin më të lumtur sesa njerëzit që i mbanin paratë për vete.”

Njerëzit ishin më të lumtur kur vendosnin për shpenzime pro-sociale sesa personale, por ishin më të lumtur kur ky vendim u mor për ta; Me sa duket sepse kjo i çliroi ata nga përjetimi i pasigurisë ose pendimit për vendimin që morën.

Studimi gjithashtu riafirmon përfitimet e dhënies anonime. Një eksperiment tjetër i kohëve të fundit zbuloi se vendosja e monedhave në njehsorin e parkimit të dikujt tjetër rezultoi në një rritje më të madhe lumturie sesa vendosja në njehsorin e vetë personit, edhe kur njerëzit nuk e kishin idenë se kë po ndihmonin.

“Kjo është në përputhje me nocionin e ‘altruizmit të papastër’, që do të thotë se njerëzit janë të gatshëm të heqin dorë nga përfitimet ekonomike personale për të ndihmuar individë të tjerë – madje edhe anonimë”, thonë studiuesit. Është gjithashtu në përputhje me gjetjet nga neuroshkenca që sugjerojnë se të ndihmosh të tjerët është personalisht shpërblyese dhe që të njëjtat qendra shpërblimi në tru aktivizohen kur një person merr një shpërblim personal, ashtu si kur një person vepron për të “ndihmuar” të tjerët.”

Shembuj të tjerë të sjelljes altruiste nuk kanë asnjë lidhje me paratë. Për shembull, një studim i kohëve të fundit zbuloi se njerëzit që kryejnë akte heroike të tilla si vrapimi në një shtëpi që digjet për të ndihmuar një person në rrezik – nuk e perceptojnë domosdoshmërisht veten e tyre si heronj. Në vend të kësaj, ata kanë më shumë gjasa të ndihen sikur thjesht po bënin atë që ishte e drejtë ose të njëjtën gjë që të tjerët do të kishin bërë në atë situatë.

“Ndërsa vëzhguesit besojnë se veprimi heroik përfshin barrë ekstreme personale, aktorët e shohin barrën e tyre personale si relativisht të parëndësishme”, thotë Nadav Klein, autori kryesor i kërkimit. “Të jesh hero është një përvojë dukshëm më pak pozitive sesa të vëzhgosh një të tillë.”

Duke iu rikthyer marrëdhënies së studiuar prej kohësh midis parave, shpenzimeve dhe lumturisë, shkencëtarët ende po punojnë për të gjitha mënyrat se si paratë ndikojnë në mirëqenien tonë psikologjike. Për shembull, studime të tjera kanë treguar:

– Aftësia për të shpenzuar më shumë para rrit mirëqenien më shumë sesa aftësia për të fituar më shumë prej tyre.
– Të ardhurat më të larta lidhen me kënaqësinë e përgjithshme të njerëzve, por jo me lumturinë “nga momenti në moment”.
– Njerëzit që fitojnë më shumë para raportojnë se përjetojnë lumturi më shpesh sesa ata me të ardhura më të ulëta, por intensiteti i ndjenjave të lumturisë nuk ndryshon midis atyre që kanë të ardhura të larta dhe atyre të ulta.

Për ta përmbyllur, autorët dolën në përfundimin se “shpenzimet për dikë tjetër (shpenzime pro-sociale, dhuratë për një të afërm etj), në përgjithësi i bëjnë njerëzit më të lumtur se shpenzimet personale”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme