‘Tradhtia e madhe!”. Kështu e nis shkrimin e saj gazeta beogradase “Kurir”, në të cilin një ish zyrtar i lartë i Shërbimit të Sigurimit Serb (SDB) dhe ish-zëvendësdrejtor i BIA-s, jep versionin për masakrën e Reçakut. Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë në struktuarat serbe të sigurisë e pranon se ishin forcat serbe ato që e kryen këtë krim mbi shqiptarët në janar të viti 1999.
Mirëpo, gazeta serbe, shkruan se “Njësia e Operacioneve Speciale (JSO), e formuar nga ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq, është keqpërdorur në Reçak, gjë që u shfrytëzua si shkas për bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë”.
Këtë version ia ka thënë “Kuririt” Dragan Markoviq- Markoni, pjesëtar shumëvjeçar i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb (SDB) dhe ish-Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Informative e të Sigurisë (BIA).
Markoviq ka thënë se Njësia e Operacioneve Speciale Serbe (JSO) duhej ta mbronte popullsinë serbe në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë të prekura nga lufta civile, por shefi i atëhershëm i SDB abuzoi me patriotizmin e anëtarëve të asaj njësie.
Sipas tij, ai e bëri këtë “duke u dhënë atyre urdhër që të mos respektojnë ligjin e luftës, por të përdorin dhunë të tepruar”.
“Edhe pas largimit të Stanishqit, JSO u keqpërdor. Kjo njësi u dërgua në Kosovë, në Reçak, kurse fuqitë e mëdha përdoren këtë rast, për të bombarduar ish-Jugosllavise [Serbisë vj.] dhe dëbimin e serbëve nga Kosova. Pasojat e këtyre aktiviteteve ndjehen edhe sot. Abuzimi i fundit i njësisë ndodhi kur u vra Kryeministri Zoran Gjingjiq. Ai u qëllua nga një oficer i Njësisë së Operacioneve Speciale, e e formuar nga Stanishiqi me urdhër të shërbimeve të huaja . Në luftës në Kosovë, komandanti i JSO ishte Milorad Ulemek – Legija, i cili u dënua me 40 vjet burg për rolin e tij në një seri likuidimesh të kryera nga anëtarët e kësaj njësie – atentatet e kryeministrit Zoran Gjingjiq, Ivan Stamboliq dhe krimi në magjistralen e Ibrit’, thotë Markoviq, transmeton Telegrafi.
Ky ish anëtar i DB-së serbe dhe më vonë zyrtar i lartë i BIA-s, beson se Stanishiq dhe disa si ai, ende po përpiqen të ndikojnë në këtë shërbim, por që ka më shumë të atillë që profesionalisht po bëjnë punën e tyre.
Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.
Aty u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar. Ambasadori William Wolker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës, pasi dy muaj më vonë filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe.
Beogradi zyrtar, por edhe mediat serbe, vazhdimisht e kanë mohuar këtë masakër, duke e quajtur madje edhe si një mashtrim. /Telegrafi/