Kurteshi: Ne do të ecim në rrugën që na e trasoi Mon Balaj

Prishtinë | 10 Shk 2018 | 13:34 | Nga

Në përvjetorin e vdekjes së aktivistit të tyre Mon Balaj, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë shkuar për homazhe tek varri i tij, i cili sot përkujtohet me dhimbje nga familjarë e aktivist që e kanë njohur Monin.

Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së sekretarit organizativ, Ismajl Kurteshi ka thënë se Moni iu bashkua karvanit të gjatë të dëshmorëve të kombit duke dhënë jetën në mbrojtje të atdheut.


Fjala e Ismajl Kurteshit në homazhet për nder të rënies së Mon Balaj:

E nderuara familje e Mon Balajt,
E nderuara familje e Arben Xheladinit,
E nderuara familje e Arbenor e Astrit Deharit,
Të dashur Zenel, Mustafë, Hysni dhe ju aktivistë të tjerë të cilët u goditët nga plumbat në demonstratën e 10 Shkurtit të vitit 2007,
Të dashur aktivistë e qytetarë. Ju faleminderit për pjesëmarrjen me rastin e manifestimit në përvjetorin e njëmbëdhjetë të demonstratës së 10 Shkurtit të vitit 2007.

Në nderim të dëshmorëve Mon Balaj dhe Arben Xheladini ju ftoj për një minutë heshtje

Lavdi!

Të nderuar pjesëmarrës,

Kaluan 11 vite që kur ranë në altarin e lirisë Mon Balaj e Arben Xheladini. Ata ranë për të mos vdekur kurrë. Ata u bashkuan me karvanin e gjatë të dëshmorëve të kombit tonë duke e dhënë jetën e tyre në mbrojtje të atdheut.

Me 2 shkurt, Ahtisaari e kishte sjellë në Prishtinë planin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Ky plan ishte e kundërta e vullnetit të popullit tonë sepse në emër të decentralizimit krijoheshin komuna me shumicë serbe të cilat do të kishin lidhje horizontale me njëra tjetrën e lidhje vertikale me Serbinë e që nënkuptonte autonomi të serbëve brenda territorit të Kosovës së cilës nuk i garantohej pavarësia. Gjithashtu përmes krijimit të zonave të veçanta rreth manastireve e kishave ortodokse tjetërsohej e kaluara e historia sepse trashëgimia ortodokse padrejtësisht quhej trashëgimi ortodokse serbe. Vetëm pas demonstratës së 10 Shkurtit Ahtisaari e bëri edhe një aneks të planit gjithëpërfshirës me propozimin për pavarësi të kushtëzuar.

Të dashur qytetarë,

Demonstrata e 10 Shkurtit u shtyp me dhunë e brutalitet të paparë. U vranë Moni e Arbeni e u plagosën më shumë se 80 qytetarë. Askush deri më sot nuk është gjykuar e dënuar për vrasjet e plagosjet në këtë demonstratë. Në fakt u dënua Albini e aktivistët të cilët po bartnin të plagosurit. Policët nga Rumania të cilët kishin gjuajtur me plumba gome në trupat e qytetarëve ishin dekoruar nga Presidenti Rumun pas kthimit në Rumani.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne nuk do të ndalemi asnjëherë në rrugën tonë të drejtë, ne nuk do të rreshtim duke kërkuar drejtësi për 10 Shkurtin, ne do të ecim në rrugën të cilën na e trasuan Moni e Arbeni, ne do të vazhdojmë fuqishëm drejt realizimit të amanetit të dëshmorëve për Liri e Vetëvendosje. Ata janë frymëzimi ynë, ata janë motivi ynë, ata janë e vërteta jonë.

Lavdi për jetë e mot për dëshmorët Mon Balaj e Arben Xheladini! Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e kombit!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme