Kurti 2022-tën e quan vit të rritjes së mirëqenies

Prishtinë | 06 Jan 2023 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se brenda një viti, me dy pako kanë mbështetur rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës, pothuajse në secilën familje.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka renditur disa pika, të cilat sipas tij kanë qenë mbështetje e vazhdueshme për të gjithë qytetarët nga Qeveria në pushtet.

“2022, Qeveria për rritje të mirëqenies. Mbështetje e vazhdueshme për qytetarët gjatë vitit që porsa lamë pas. Ndamë shtesa për 30 mijë lehona dhe për 260 mijë fëmijë. Brenda një viti, me dy Pako mbështetëm drejtpërdrejt rreth 800 mijë qytetarë të Republikës, pothuajse secilën familje. 1) Pako për Ringjallje Ekonomike. 100 milionë euro. Dyfishuam asistencën sociale për rreth 26 mijë familje në muajin prill”, ka shkruar Kurti.

Njëherit, ai ka përmendur edhe pakon e ringjalljes ekonomike, nga e cila janë ndarë 100 euro për pensionistët, punëtorët e sektorit privat, punëtorët e sektorit publik dhe studentët.

“Shpërndamë afër 37 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë. Pako për përballje me Inflacion 150 milionë euro  Dyfishuam asistencën sociale për mbi 24 mijë familje në muajin shtator. Ndamë nga 100 euro shtesë për rreth, 290 mijë pensionmarrës, 12 mijë punëtorë të ndërmarrjeve publike,  51 mijë studentë. Për 76 mijë punëtorët e sektorit publik ndamë nga 50 euro shtesë (shtator – dhjetor). Subvencionuam 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj”, ka shkruar Kurti tutje.

Më tej, kryeministri Kurti ka theksuar se me skemën e punësimit “Qeveria për Familjet”, janë punësuar 770 punëtorë, duke përfshirë këtu edhe personat me aftësi të kufizuara.

“Me masën 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra. Në vitin për personat me aftësi të kufizuara: u punësuan 239 persona (119 burra dhe 120 gra)”, thuhet në postimin e tij.

Ndërkaq, në përmbyllje të tekstit, Kurti ka përfshirë edhe subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike për të gjithë qytetarët dhe bizneset që nga shkurti 2022.

“Tarifat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët e bizneset që nga shkurti 2022, faturat e energjisë elektrike për kursimtarët (mbi 200 mijë përfitues), blerjen e pajisjeve efiçente për ngrohje për mbi 8 mijë familje”, ka përmbyllur Kurti.

Të ngjashme