Ish-kryeministri i Kosovës, tash kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë të ditur se Administrata publike është jetike për funksionimin e mirë të shtetit tonë. Reforma e saj, me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ekzekutimit të procedurave burokratike, i kontribuon sa demokratizimit të shoqërisë sonë aq edhe zhvillimit të saj.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Facbook, ka ba njoftuar se ka zhvilluar një takim virtual me Prof. Dr. Wolfgang Drechsler dhe Bardhyl Dobrën.
“Profesori Drechsler është profesor eminent i Qeverisjes (Governance): profesor i rregullt në Tallinn Technology University të Estonisë, profesor i asociuar në Harvard University të ShBA-ve dhe në University College London të Britanisë së Madhe. Kurse, Bardhyl Dobra, përmes së cilit u mundësua ky takim i përbashkët, është doktorant në Administratë dhe Menaxhment Publik pranë Ghent University në Belgjikë. Tema e tij e doktoratës është “Rindërtimi i Administratës Publike në Shtetet pas Konfliktit – Rasti i Kosovës”, njoftoi Kurti.
Kurti ka vënë në dukje se gjatë diskutimit i ka njoftuar me ngjarjet dhe zhvillimet politike në vend sikurse edhe ato brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
“Fola për Qeverinë tonë në pranverën 2020, si dhe Qeverisjen Alternative të Lëvizjes dhe raportin e këtyre me administratën publike e vëmendjen për reformë e riformatim. Synimi i Qeverisjes sonë për luftimin e korrupsionit, zhvillim social e ekonomik, dhe rikthimin e trurit e bashkë me të edhe etikën perëndimore të punës padyshim se i shërbejnë përmirësimit të administratës publike”, theksoi Kurti.
Ai ka bërë të ditur se Profesori Drechsler tha se Kosova është një rast atraktiv për studiuesit ndërkombëtarë. Si i tillë mund të përdoret si avantazh nga qeveritë e vendit duke i ftuar ata profesionistë në hartimin e politikave për përmirësimin e Administratës Publike.
“Sipas tij, fatkeqësisht ka një mungesë të studimeve serioze mbi gjendjen dhe situatën e kësaj ndërmarrje shtetërore, studime të cilat do të mundësonin identifikimin e masave dhe instrumenteve të përshtatshme për rastin e Kosovës. Ai tha se administrata publike është më e ngjashme me arkitekturën në kuptimin e përshtatjes së saj me kulturën, relievin, klimën dhe historinë e vendit, sesa me inxhinierinë e cila udhëhiqet nga parime fikse e të zbatueshme përherë çdo kund. Prandaj, gjatë takimit diskutuam modele të ndryshme të Administratës Publike që janë dëshmuar të suksesshme, nga ajo e Estonisë e Finlandës, deri te ato të Singaporit, Taiwanit e Zelandës së Re, prej nga mund të merren mësime pozitive për vendin tonë, pa kopjuar a imituar”, njoftoi Kurti.
Në fund ai ka thënë se ky ishte vetëm bashkëbisedimi i parë me profesor Drechsler dhe Bardhyl Dobrën. Me ta do të jetë në konkakt dhe në bashkëpunim në funksion të shkëmbimit të ideve dhe ekspertizave në fushën e administratës publike.