Rifillimi i punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” shërbeu si shkas i ri për rihapje të diskutimit ndër qytetarë për këtë projekt.
Qytetarët, me të cilët bisedoi Ekonomi Online, shfaqën mendime të ndryshme. Njëra palë është e pakënaqur për ngarkesën e shtuar në komunikacion, ndërsa pala tjetër e sheh si investim të nevojshëm për zhvillimin urban të kryeqytetit.
“Për mua këto punime janë të paarsyeshme. Prishtina ka komunikacion të dendur dhe kjo do ta përkeqësojë gjendjen. Punimet janë bërë në atë mënyrë që të ketë përherë trafik. Më herët kanë ndërtuar pjesën e garazheve, ndërsa kjo pjesë tjetër do të jetë për këmbësorë. Nga të kalojnë veturat? Nuk ka qenë e arsyeshme të mbyllet kjo zonë, sepse Prishtina nuk ka sipërfaqe për të realizuar vepra të tilla,” u shpreh një qytetar, pa dashur të prezantohet.
Ndërsa, një qytetar tjetër, Azem Geci, e konsideron këtë projekt si një domosdoshmëri për t’i dhënë qytetit një pamje moderne, pa prekur trashëgiminë kulturore.
“Për t’i ngjarë një metropoli, nevojitet një arkitekturë e re, një ‘gjak i ri’. Trashëgimia kulturore nuk do të preket. Kjo është një gjë e mirë për gjeneratat e reja. Prishtina është kryeqytet dhe po zhvillohet si e tillë. Ne si qytetarë kemi ndikim, por jo gjithmonë fuqi vendimmarrëse. Për të zgjidhur çështjen e komunikacionit duhet të ndërtohen hapësira të reja, si për shembull parkingje te Albi Mall, për ta liruar qendrën. Prishtina është kryeqyteti i të gjithëve, këtu është ‘ajka’. Çdo gjë e re që bëhet me arkitektë profesionistë është e mirë. Njerëzit kanë nevojë të lëvizin dhe të qarkullojnë”, tha Geci.
Një qytetar tjetër, Fehmi Pajaziti, thotë se projekti është vlerësuar nga institucionet dhe ekspertët përkatës.
“Kosova ka institucionet e veta dhe në bazë të vlerësimeve të tyre, janë marrë këto vendime. Qytetarët mund të kenë mendime të ndryshme, por nuk janë vendimmarrës. Çdo investim kalon nëpër duart e ekspertëve. Komunikacioni është i ngarkuar, sepse zakonisht një person përdor një veturë. Mbyllja e kësaj rruge mund ta përkeqësojë situatën, por kjo nuk do të thotë që nuk ka rrugë alternative. Kolona ka në të gjitha komunat, sidomos kur njerëzit dalin nga puna. Nuk është vetëm Prishtina. Edhe në vendet më të zhvilluara ka trafik”, tha Pajaziti.