Kurti: Bahri Fazliu ishte luftëtar i orëve të para të përpjekjeve tona çlirimtare

Prishtinë | 07 Maj 2026 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrit në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hotin kanë bërë homazhe pranë varrit të Bahri Fazliut, në 28-vjetorin e rënies së tij, raporton Ekonomia Online.

Kurti, pasi bëri homazhe tha se Bahri Fazliu ishte luftëtar i orëve të para të përpjekjeve tona çlirimtare.

“Bashkë me kolegët nga qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës, me zyrtarë të shtetit e me aktivistë të lëvizjes, me Fadil Fazliun, vëllain e Bahriut edhe Fahriut, jemi këtu tek varri ku prehet i qetë Bahri Fazliu, i cili ishte luftëtar edhe para luftës çlirimtare. Kombi shqiptar ka Bahri Fazliun një luftëtar jo vetëm të orëve të para të përpjekjeve tona çlirimtare, por tek ai e gjejmë edhe shembullin e një intelektuali të ri, e një kritiku të angazhuar, e një poeti romantik, e një drejtuesi të gazetës dhe gjithashtu e një organizatori e ideatori njëkohësisht të strategjisë çlirimtare përmes organizimit të popullit”, tha Kurti.

“Bahri Fazliu sot prehet këtu në Prishtinë, ndërmjet dy personaliteteve të tjera të cilët i kishte gjithmonë pranë: Në të djathtë të tij: është dëshmori i popullit shqiptar Fahri Fazliu, i cili më pak se një dekadë para Bahriut, në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe ra heroikisht bashkë me Afrim Zhitinë. Në të majtë të tij: është shoku i tij i pandashëm Agron Rrahmani. Dhe këtë përparësi që e kishte Bahri Fazliu e maksimizoi duke organizuar rininë shqiptare deri në ditën e 7 majit të vitit 1998, kur ra heroikisht në betejë në Bogiçe, në kufirin ndërmjet Kosovës, Shqipërisë edhe Malit të Zi, me forcat ushtarake të Serbisë, pra më shumë se një vit para çlirimit të Kosovës”, tha Kurti.

Gjithashtu kryeministri në detyrë, Kurti tha se për Bahri Fazliun mund të mësohet duke lexuar veprat e tij dhe shkrimet që ai ka lënë pas.

“Për Bahri Fazliun mund të mësojmë jo vetëm duke e lexuar jetëshkrimin e tij nga historianët dhe bashkëluftëtarët, por gjithashtu duke e lexuar edhe atë drejtpërdrejt, meqenëse ka lënë një thesar të madh të shkrimeve, të analizave të mprehta, por gjithashtu edhe të poezive të cilat sa janë të bukura aq janë edhe frymëzuese”, tha Kurti.

Të ngjashme