Kurti bëri homazhe pranë varrit të profesorit Selim Berisha në 26-vjetorin e rënies së tij

Prishtinë | 20 Mar 2025 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e shënimit të 26-vjetorit të rënies heroike të profesorit të Historisë, Selim Berisha, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule të freskëta pranë varrit të profesor Selim Berishës, në varrezat e fshatit Barilevë-Drenoc, të Prishtinës.

Në përkujtim të figurës së shquar të profesorit Berisha, kryeministri Kurti tha se edhe pse jemi me pikëllim dhe dhembje që prof. Berisha nuk është në mesin tonë fizikisht, është nder e krenari të kujtojmë jetën, veprën dhe rënien heroike të tij.

“Si profesor i historisë u bë edhe vetë pjesë e historisë së popullit tonë, me rezistencën e qëndresën e tij, në një luftë të pabarabartë, në një betejë në të cilën dha gjithçka nga vetja e tij me armë në dorë, duke u përballur me forcat armike të Serbisë që po bënin krime e mizori ndaj popullsisë civile”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve janë themelet e shtetit të Kosovës, kurse neve na përket një pjesë e punës që ka të bëjë me forcimin e shtetit, mbrojtjen e territorit, kulmin e sigurt, gardhin e tokës sonë stërgjyshore dhe se pikërisht dëshmorët dhe martirët janë ata të cilët vazhdojnë të na e ndriçojnë rrugën për këtë detyrë të shenjtë që kemi të gjithë ne bashkë dhe secili prej nesh. 

Lavdi profesor Selim Berishës dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!

Të ngjashme