Kurti beson se qeverisja e re do t’ua kthejë njerëzve një lidhje të re me tokën e tyre

Prishtinë | 26 Shk 2020 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zv. kryeministri, Haki Abazi, pritën drejtoreshën rajonale të Ballkanit Perëndimor, znj. Linda Van Gelder, dhe drejtorin për Kosovë, z. Marco Mantovanelli, nga Banka Botërore.

Në këtë takim u paraqitën prioritet e veprimit të shpejtë të qeverisë, me theks në projekt-ligjin e buxhetit për vitin 2020, reduktimin dhe shkrirjen numrit të ministrive dhe në përçimin e marrëveshjes së koalicionit në program qeverisës dhe plan pune.

Kryeministri Kurti dhe zv.kryeministri Abazi shprehën përkushtimin e Qeverisë për objektivat e zhvillimit të vendit. Këta objektiva synojnë t’i japin Kosovës atë për çka më tepër nevojë, substancë dhe përmbajtje. Brenga e shoqërisë sot është migrimi, ndaj dhe duhet menjëherë një plan zhvillimi që u rikthen njerëzve besimin dhe guximin për të qëndruar këtu, si dhe që motivon njëherësh kthimin e trurit nga jashtë. Potencialet janë mes nesh, por investimet nuk janë adresuar në mënyrën e duhur dhe janë përqendruar në fushat e gabuara.

Kryeministri shprehu edhe besimin se qeverisja do t’iu kthejë njerëzve një lidhje të re me tokën e tyre, duke pasur parasysh këtu edhe pasuritë dhe burimet natyrore. Kosova nuk duhet të jetë më një vend tranziti për qytetarët e vet. Kjo mendësi duhet të transformohet.

Nga përfaqësuesit e Bankës Botërore u shpreh vazhdimi i mbështetjes së Kosovës nëpërmjet Asociacionit për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA), gjë që ndodh përmes kredive e granteve me interes të ulët. Ata u shprehën edhe mbi dy prioritetet e Bankës Botërore për fokusim në sigurinë e ujërave, pastrimin dhe mbrojtjen e ambientit.

Të ngjashme