Kurti dhe gratë ministre premtojnë avancim të barazisë gjinore, nevojë urgjente miratimi i Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 15:24 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, është bërë  lansimi i amandamentimit të Kornizës Ligjore për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe prezantimi i draftit final të programit të Kosovës për barazi gjinore. Ky aktivitet është organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ( ZKM), raporton Ekonomia Online.  Në këtë takim u shtrua nevoja urgjente e miratimit të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.  Kryeministri Kurti dhe ministret e kabinetit të tij premtuam më shumë punë në avancimin e rolit të gruas në të gjitha sferat e jetës si në punësim, ekonomi, sport e kulturë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se gjendja është shumë e rëndë. Sipas tij, gratë e kanë gradën më të lartë të shkollimit në Kosovë por më të ultën sa i përket punësimit.

“Para disa ditëve kam takuar kryeshefen e Agjencisë për Barazi Gjinore dhe më tregoi për punën në arritjen e barazisë gjinore. Ky program adreson temat që duhet të bëjmë progres dhe duhet të jetë në harmoni me programin qeverisës që trajton barazinë. Gjendja është e rëndë dhe ne duhet të flasim çdo ditë. Gjendja është aq keq sa që duhet jo vetëm të flasim por edhe të punojmë për ditë për të arritur progresin që synojmë. Rezistencat janë të mëdha. Gratë kanë gradën më të lartë të shkollimit në Kosovë po kanë më të ulët sa i përket punësimit”, tha Kurti.

Kurti më tutje theksoi se në shoqërinë tonë po merret si e mirëqenë se gruaja duhet t’i kryej punët e shtëpisë. Ai tha se pabarazia gjinore është shumë e kushtueshme.

“Në shoqërinë tonë e marrim të mirëqenë faktin se gruaja duhet t’i kryej punët e shtëpisë. Kjo qasje është e gabuar dhe duhet të përfundojë. Pabarazia gjinore është edhe e padrejtë dhe shumë e kushtueshme. Pengesat janë të shumta dhe ne i dimë,  por ka munguar qeveria që i jep një drejtim. Të drejtat e barabarta janë të tilla,  nëse janë të bazuar në shanse të barabarta. E drejta për punë nuk është e barabartë,  ku dhe nuk e kanë të njëjtë pagesë meritore, edhe në ato pake raste ku punësohen. Është  shumë më e lehtë të punësohet një burrë se sa një grua. Nesër po planifikojmë një mbledhje të qeverisë për buxhetin e qeverisë 2020”, shtoi Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se duhet t’i kushtohet një rëndësi e veçantë edukimit që në fazat e hershme e deri në arsimin e lartë.

Kurse, ministrja e Drejtësisë,  Albulena Haxhiu tha se është nevojë urgjente të miratohet ligji për mbrojtje nga dhuna në familje.

“Ne duhet të angazhohemi në gjendjen e rëndë që po kalojmë gratë dhe vajzat dhe ajo duhet të ndryshojë. Si ministre do të përkushtohem që të gjitha t’i realizojë. Kosova duhet të rreshtohet krah shteteve për t’i përmbushur detyrimet që dalim nga Konventa e Stambollit. Sa i  përket projektligjit për mbrojtje nga dhuna në familje  i njëjti duhet të procedohet në Kuvendin e Kosovës sepse është nevojë urgjente që të miratohet ky ligj. Duhet të rregullohet roli i detyrave të strehimoreve dhe që shteti t’i financojë 100%. Komisioni për kompensimin e viktimave të luftës shumë shpejt do të jetë funksional”, tha ajo.

Roli i institucioneve të drejtësisë është shumë i rëndësishëm.

“Nuk mund të ketë rastë që viktima të pyetet se a mos ka bë faj që bashkëshorti ka ushtruar dhunë”, shtoi Haxhiu.

Ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal Emilia Rexhepi tha se do të përcillet Ligji mbi Barazinë Gjinore në komunat e Kosovës.

“Sa i përket MAPL, ne do të takohemi në nivel të të gjithave komunave dhe kemi një politik të zhvillimit ekonomik, duke filluar nga çerdhet , shkollat dhe me këtë duhet të merremi. Ne do të përcjellim edhe ligjin mbi barazinë gjinore në komuna se si funksionon. Ne nuk mund t’i rregullojmë vetëm dhe na nevojitet bashkëpunim me OJQ dhe përfaqësues të medieve.”, tha ministrja Rexhepi.

Ministrja e Kulturës, Rinisë  dhe Sportit Vlora Dumoshi, ka treguar se nga 700 punëtorë sa ka ministria që ajo e drejton, vetëm 17 prej tyre janë gra në pozita udhëheqëse.

“Kjo qeveri ka një program përmbajtjesor ku me një përkushtim e sheh rolin e femrës sidomos në pjesën e kulturës dhe sportit. Ne i kemi dhënë rol infrastrukturës sepse, pa atë nuk kemi pjesëmarrje të madhe të femrave. Ne si qeveri duhet të përkushtohemi të ndërtojmë politika për pjesëmarrjen e grave në institucionet e Kosovës. Prej 700 punëtorë që ka ministria ime vetëm 17 gra janë në pozita udhëheqëse”, tha Dumoshi.

Ajo ka thënë se roli i femrave në pozita është dhjetë fish më i madh sepse të gjithë i kanë sytë kah gratë.

“Pozita jonë është 10 fish më ei rëndë sepse i kanë vënë sytë te ne, tha Dumoshi.

Ministrja Rozeta Hajdari e Ekonomisë Tregtisë , Punësimit tha se hap i parë do të jetë rishikimi i Ligjit të Punës.

“Unë si ministri me titullin e gjatë e shoh të arsyeshëm të përmend se e drejta e barazisë është e drejta ekonomike. Fokus kryesor është krijimi i politikave me të mira në përkrahjen e bizneseve të grave. Tani për tani në plan si hap i parë është të shikohet ligji i punës të grupeve të marxhinalizume.”, theksoi Hajdari.

Ndërsa, Edi Kusia kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ( ZKM),  tha se procesi i hartimit Kornizës Ligjore për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe prezantimi i draftit final të programit të Kosovës për barazi gjinore ka filluar në vitin  2017.

“Kjo paraqet një përkrahje dy vjeçare të agjencisë dhe një proces model i përpjekjes institucionale për qasje gjithë përfshirëse që barazia gjinore të vendoset në qendër. Procesi i hartimit ka filluar në vitin 2017.”, tha ajo

Të ngjashme