Kurti dhe kryetari i presidencës së BeH thonë se shkëmbimi territorial Kosovë-Serbi është i rrezikshëm

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot zhvilloi një bisedë telefonike me kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, të cilët vlerësuan se ideja e shkëmbimit territorial Kosovë-Serbi, është e rrezikshme.

Siç njofton kumtesa nga kryeministria, në fillim të bisedës ata diskutuan në lidhje me situatën me COVID-19 në vendet respektive, duke i komunikuar njëri-tjetrit masat që qeveritë e dy vendeve kanë ndërmarrë në luftimin dhe menaxhimin e përhapjes së koronavirusit.

Tutje, thuhet në njoftim, ata biseduan për marrëdhëniet bilaterale, lëvizjes së lirë të mallrave dhe të personave në mes dy shteteve.

“Me këtë rast, Džaferović falënderoi Kurtin për vendimin për largimin e tarifës 100% ndaj mallrave nga Bosnjë dhe Hercegovina. Kryeministri në detyrë Kurti tha se Republika e Kosovës nuk duhet ta trajtojë dhe nuk do ta trajtojë njësoj Bosnjën dhe Hercegovinën sikurse Serbinë”, theksohet të ketë thënë Kurti.

Tutje, thuhet se të dy konstatuan se kërcënimi më i madh me të cilin përballen dy vendet është lloji i politikës që nuk pati sukses gjatë luftës në vitet 90-ta, dhe se ideja e shkëmbimit territorial në mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme pasi e njëjta na kthen në vitet e 90-ta.

“Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti dhe Kryetari i Presidencës Džaferović theksuan dhe u pajtuan se bashkëpunimi në nivel kulturor dhe historik duhet të forcohet, derisa ripërsëritën zotimin se Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina mbeten të përkushtuara në anëtarësimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme