Kurti dhe Micotaqis në kurthin e betejave elektorale kundër Shqipërisë

Prishtinë | 10 Qer 2024 | 23:05 | Nga Mero Baze

Ka dy kryeministra në Ballkan, që po përpiqen të kthejnë betejën me Shqipërinë, në betejë elektorale. I pari është Qirjako Micotaqis, kryeministri i Greqisë. Dështimi i përpjekjeve të tij për të ndikuar politikisht në procesin gjyqësor ndaj Fredi Belerit, arrestuar për vjedhje votash dhe akuzuar më parë për vrasje ushtarakësh shqiptarë e armbajtës pa leje, u përshkallëzua në një aksion diplomatik dhe politik kundër Shqipërisë, që u kurorëzua me zgjedhjen e Fredi Belerit si deputet i partisë së tij në Parlamentin Evropian.

Kjo i përmbush më së miri premisat që grekët të konsiderojnë veten fitimtarë ndaj Shqipërisë, edhe pse në fakt është një humbje qesharake e tyre. Në pamundësi për të shantazhuar Shqipërinë, ata zgjodhën ta bëjnë vet deputet Fredi Belerin, natyrisht për nevoja elektorale në Greqi, por mbi të gjitha për ta përdorur si megafon kundër Shqipërisë në Bruksel.

Kjo është e vetmja gjë e dobishme që Greqia ka bërë për Shqipërinë vitet e fundit. Duke mbështetur një personazh kontrovers, me probleme të rënda personaliteti, nën akuzë publike si vrasës ushtarakësh shqiptarë, i akuzuar dhe arrestuar në Greqi për armbajtës pa leje, dhe së fundmi i arrestuar dhe dënuar për vjedhje votash, ai do të jetë shfajësuesi më i madh i Shqipërisë në Bruksel sa herë të hapë gojën kundër saj, duke llogaritur dhe intelektin e tij. Sado t’ia shkruajnë fjalimet, budallallëku nuk futet në thes. E nxjerr diku kokën.

Në këtë pikë Edi Rama ka shtyrë Greqinë drejt një sakrifice që nuk e meriton autoriteti dhe historia e saj, pasi do përfaqesohet në Bruksel me një njeri që simbolizon krizën e saj me Shqipërinë dhe urrejtjen e një pjese të publikut grek për Shqipërinë.

Asnjë vend nuk guxon t’i ekspozojë me kaq lehtësi hijet e veta para syve të gjithë botës. Vendimi i Greqisë, i nxitur nga sedra e fyer e një vendi që nuk dikton dot drejtësinë e një vendi fqinj, tani u ka dhënë shans të gjithëve të kuptojnë se nuk ka zgjedhur një eurodeputet, por ka futur në Parlamentin Evropian gjithë anët e saj të errëta, të cilat jo se nuk i kanë dhe vendet e tjera, por standardi evropian i detyron të mos i ekspozojnë.

Edi Rama praktikisht ka detyruar Greqinë t’i tregojë Evropës brekët e saj të palara.

Pas Micotaqis, i dyti që ka kthyer betejën me Shqipërinë në betejë elektorale është Albin Kurti. Ky që e nisi rrugën politike si ideator i bashkimit me Shqipërinë, tani ka një ideologji të vetme, betejë për të fituar beteja elektorale me luftën ndaj Shqipërisë.

Njësoj si Miciotaqis, dhe ky i ka hipur kalit të gabuar të betejës.

Edi Rama nuk dëmtohet nga pikëpamja elektorale nga beteja e Albin Kurtit. Nuk them se i shtohen vota, por e sigurtë që asnjë nuk i ikën. Pikërisht pse e di këtë, Edi Rama po ja mban ndezur këtë betejë, po e nxit të vazhdojë betejën me Shqipërinë, madje ta kthejë në betejë elektorale.

Duke u treguar i pamëshirshëm në këtë pikë, Edi Rama po përpiqet ta ekspozojë përditë e më shumë Albin Kurtin si një lider që kërkon të fitojë popullaritet duke sulmuar Shqipërinë.

Në thelb, inati i Albin Kurtit është me Perëndimin, por ngaqë nuk kundërshton dot hapur gjërat që i thotë Perëndimi, i kundërshton dhe i kthen në armiqësi me Shqiperine, kur ja përsërit Edi Rama. Dhe ky i fundit ja ka kapur këtë ves dhe ja përsërit kudo, në Tiranë, në Prishtinë, në Berlin, në Romë, kudo që është mundësia.

Sot ja përsëriti në Prishtinë në prani të çlirimtarëve të Kosovës, në një jubile organizuar për Ibrahim Rugovën. Dhe ai refuzoi të shkojë pasi partia e Ibrahim Rugovës i duhej vetëm për vota, për të plotësuar 51 për qindëshin, por jo për historinë e tij.

Njësoj si në Greqi, siç e dëshmuan këto zgjedhje, njerëzit kanë votuar më shumë kundër Shqipërisë, se sa pro BE, edhe në Kosovë, Vetëvendosja më shumë shpreson të marrë vota duke nxitur urrejtje ndaj Shqipërisë, se sa duke premtuar një të ardhme evropiane për Kosovën.

Kur të ikin nga pushteti dikur, do mbahen mend se luftuan sa mundën kundër Shqipërisë, në emër të pushtetit të tyre. Por jo të popullit të tyre.

Të ngjashme