Kurti dhe Rama do të marrin pjesë në Forumin e Bledit në Slloveni

Prishtinë | 20 Gus 2023 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Më 28 dhe 29 gusht do të mbahet në Slloveni konferenca ndërkombëtare e Forumit strategjik të Bledit, e cila është konferenca në Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Në këtë konferencë dyditore do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri nga Shqipëria, Edi Rama.

Sipas Euronews.al, pjesëmarrja e të dy kryeministrave në këtë forum do të jetë edhe përballja e parë mes Ramës dhe Kurtit pas debateve në distancë gjatë muajve të fundit, që pas anulimit të mbledhjes së dy qeverisë më 14 qershor në Gjakovë, transmeton Paparaci.

Nga rajoni, do të marrë pjesë po ashtu kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Pjesë e kësaj konference do të jenë edhe i dërguari special i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Konferenca është një mbledhje e pjesëmarrësve nga fusha të ndryshme duke shkëmbyer pikëpamje dhe ide për të adresuar sfidat e tanishme dhe sfidat e së ardhmes.

Të ngjashme