Kurti dikur thoshte: E çuditshme, njerëzit bëhen ministra për t’u bërë kryetarë komunash

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 21:02 | Nga Ekonomia Online

Vetëvendosja ka zgjedhur që në Prishtinë të kandidojë me ministrin aktual të Shëndetësisë, Arben Vitinë. Ani pse kohë më parë i pari i VV’së dhe njëkohësisht kryeministër shteti, Albin Kurti, thoshte se në Kosovë njerëzit po bëhen ministra, që më pas të bëhen kryetarë komunash.

Kurti në një studio televizive kishte thënë “Është e çuditshme në Kosovë, njerëzit bëhen ministra, për t’u bërë kryetarë komunash”.

Vetëvendosje e ka fituar Prishtinën tashmë dy herë, por aktualisht nuk qeveris me të. Kjo për shkak se kryetari Ahmeti doli nga Vetëvendosje. E për ta rikthyer kryeqytetin, partia e Kurtit vendosi që ta kandidojë Vitinë – ministrin që po kritikohet në vazhdimësi për menaxhim të dobët të pandemisë.

Minsitri Vitia i cili së shpejti do të fillojë fushatën edhe zyrtarisht, po merret me menaxhimin e pandemisë. Virusi po vret dhjetëra kosovarë çdo ditë, e mijëra sosh po infektohen çdo ditë.

Kjo nuk është hera e parë që eksponentë të pushtetit aktual po ndërrojnë fjalët të cilat i kishin dhënë sa ishin në opozitë.

Kryeparlamentari Konjufca në një intervistë gjatë Qeverisë Hoti, kishte thënë se duhet dalë në zgjedhje, pa marrë parasysh se jemi në kohë pandemie.

“Çu dil në zgjedhje! Çu dil në zgjedhje! Çohuni dilni në zgjedhje të katërtit dorë për dore, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj. Të katërtit në podium! Çohuni përpara; përpara Albin Kurtit. Të katërtit qe i ftoj qëtu. Të katërtit bashkë dorë për dore, Albin Kurti vetë. Ju sfidoj. Dilni dorë për dore të katërtit bashkë edhe thuani i kemi 82 vota. Para qytetarëve, në vota, keni me e pa rezultatin”, thoshte Konjufca në T7.

I njëjti tash thotë se nuk bën që të shkohet në zgjedhje.

Të ngjashme