Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me deputetin Glauk Konjufca kanë mbajtur konferencë për shtyp, ku kanë folur për rastin e aktivistit Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka folur për rastin e Deharit, duke thënë se drejtësia në Kosovë ka dështuar që ta hetojë ashtu siç duhet rastin e dyshimtë të vdekjes së Astritit në burgun e Prizrenit.
Sipas tij premtimi i Qeverisë dhe kryeministrit për familjen Dehari, ishte që ta hetojnë dhe hulumtojnë gjithë procesin nëpër të cilin ka kaluar rasti i vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes.
Ndërsa Glauk Konjufca ka thënë se ata i’a kanë adresuar disa kërkesa Qeverisë së Kosovës por të cilat nuk janë aprovuar asnjëherë tash e 3 muaj.
“ Ne kemi kërkuar shkarkimin e Dhurata Hoxhës, ministres së atëhershme të drejtësisë. Po ashtu kemi kërkuar edhe dorëheqjen e Shpend Maxhunit dhe të Nexhmi Krasniqit, i cili është në krye të Policisë Rajonale të Prizrenit”, tha Konjufca.
Sipas tij kërkesa themelore e familjes Dehari është një hetim i karakterit ndërkombëtar, pasi që nuk kanë besim në drejtësinë kosovare e cila sipas tyre është e manipuluar dhe jo e pavarur.