Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun sa i përket transformimit digjital. Gjatë prezantimit të Strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027, Kurti tha se Strategjia e E-qeverisjes e vendos vizionin e tyre për një administratë të digjitalizuar dhe transprente, raporton Ekonomia Online.
Shefi i ekzekutivit, tha se Strategjia E-Qeverisjes, ndikon në rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së vendit.
Kurti tha se ky është dokument strategjik që fokusohet në fushat kryesore të digjitalizimit të sektorit publik dhe që ndihmojnë në arritjen e vizionit të përcaktuar në Agjendën Digjitale të Kosovës 2030 për transformimin e Kosovës në një vend të suksesshëm në fushën e digjitalizimit.
Ai tha se objektivat të përcaktuar në strategji ndihmojnë në arritjen e vizionit të transformimit digjital në administratën publike të Kosovës.
“Strategjia e E-qeverisjes e vendos vizionin tonë për një administratë të digjitalizuar dhe me efekt e transparente. Ndikon në rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së vendit. Një nga këto parimet janë vendosja e qytetarit në qendër të eliminojnë burokracinë dhe të kursejnë kohën. Një parim tjetër është gjithpërfshirja. Kosova është në top vendet për digjitalizim dhe krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun”, u shpreh Kurti.
“Strategjia adreson çështjet aktuale dhe formulon objektiva dhe veprime specifike për tejkalimin e tyre dhe arritjen e qëllimeve strategjike. Kosova ka shënuar progres të mirë në digjitalizimin e administratës publike duke përcaktuar digjitalizimin si një nga prioritetet e saj, por strategjia thekson mundësitë për qasje më koherente dhe sistematike ndaj digjitalizimit në sektorin publik për t’i nxitur më tej përpjekjet për digjitalizim”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se fokus të veçantë i kanë dhënë digjitalizimit, raporton Ekonomia Online.
Sipas Sveçlen, kjo Strategji ka për synim transformimin digjital të administratës publike. Ai shtoi se ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Vendi ynë ka potencial të vazhdueshëm për transformim digjital, andaj duke pasur parasysh këtë fakt dhe po ashtu aolikimin e modeleve e praktikave më të mira dhe tregon vizionin e Qeverisë sonë për investim dhe ngritje të kapaciteteve për këtë fushë. Përgjatë mandatit tonë qeverisës sonë, fokus të veçantë iu është kushtuar digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët tanë”.
“Strategjia 5 vjeçare e qeverisjes elektronike ka në vizion transformimin digjital të administratës sonë publike, që maksimizon mirëqenien e qytetarëve, rrit transparencën si dhe krijon një qëndrueshmëri ekonomike të vendit tonë”, tha Sveçla.
Fjalë të mëdha për këtë Strategji pati edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Ai tha se e njëjta është e afërt me Bashkimin Evropian, raporton EO.
“Digjitalizimi ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe përmirëson jeton e qytetarit, duke krijuar shërbime efikase brenda qeverisjes. Investimet e vazhdueshme ne digjitalizim janë të nevojshme, dhe këto mund të kenë nëse interesohemi në këtë drejtim”, tha ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,
I nderuari ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi,
Shkëlqesi Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde,
E nderuara shefe e UNDP-së, znj. Maria Suokko,
E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari,
I nderuari zëvendësministër i Brendshëm, Bardhyl Dobra,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë të komunave të Republikës,
Të nderuar përfaqësues e partnerë zhvillimorë,
Të nderuar përfaqësues nga komuniteti akademik, i bizneseve, dhe shoqëria civile,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Sot po e shënojmë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të transformimit digjital. Strategjia e re e E-Qeverisjes 2023-2027 të cilën po e prezantojmë, e vendos vizionin tonë për një administratë publike të digjitalizuar e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Ajo po ashtu e maksimizon efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes; si dhe ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Ky vizion përputhet me pritshmëritë e qytetarëve tanë për digjitalizim. Në studimin e bërë nga organizata GLPS, 73.9% e qytetarëve vlerësojnë se digjitalizimi i shërbimeve qeveritare do ta bënte më të lehtë qasjen dhe marrjen e shërbimeve që ofrohen nga institucionet publike, ndërkaq 74.4% e tyre mendojnë se digjitalizimi i shërbimeve çon në një qeverisje më efikase dhe më të efektshme.
Strategjia parasheh reforma përmbajtësore, që bazohen në parimet kyçe të Komisionit Evropian për digjitalizim të shërbimeve, e të cilat synojnë të transformojnë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me administratën publike. Një nga këto parime është ai i vendosjes së qytetarit në qendër. Kjo nënkupton dizajnimin dhe ofrimin e shërbimeve që të tilla të jenë të bazuara në nevojat e qytetarit, të eliminojnë burokracinë, të mundësojnë qasje nga kudo dhe kurdo, dhe të kursejnë kohën e tij apo të saj. Një nga zbatimet e këtij parimi që e parasheh strategjia është ai përmes konceptit të shërbimeve të bazuara në ngjarje jetësore. Ofrimi i shërbimeve proaktive, të personalizuara dhe të automatizuara, të bazuara në ngjarje jetësore, paraqet një ndryshim të paradigmës në funksionimin e administratës publike në raport me qytetarin.
Një parim tjetër i rëndësishëm është ai i gjithëpërfshirjes. Më 21 mars, në Herticë shënuam lidhjen e fshatit të fundit në internet brezgjerë. Në rrugëtimin tonë shoqëror drejt digjitalizimit është me rëndësi që askush të mos mbetet prapa. Tashmë kemi mbuluar 100% të zonave të banuara me internet brezgjerë. Kosova është në top 7 vendet në Evropë dhe krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun. Megjithëkëtë, duhet të sigurohemi që përfitimet nga digjitalizimi dhe ndërveprimi i sistemeve, t’i gëzojnë të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe ata që e shfrytëzojnë kanalin digjital të qasjes.
Prandaj strategjia parasheh edhe pilotimin e qendrave të integruara të shërbimeve, që do të ofrojnë konceptin e one-stop-shop, për marrjen e shumë shërbimeve në një lokacion të vetëm.
Jetësimi i vizionit dhe parimeve të strategjisë mbështetet në disa shtylla kyçe, që janë përcaktuar si objektiva strategjike të saj. Një nga këto shtylla gjithsesi janë sistemet dhe infrastruktura digjitale e vendit. Strategjia parasheh ndërtimin e arkitekturës gjithëpërfshirëse të organizatave, infrastrukturës, sistemeve, të dhënave dhe ndërveprimit, që do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm të digjitalizimit në qeveri. Avancimi dhe fuqizimi i sistemeve qendrore si platforma e ndërveprimit, dhe portali kryesor për ekspozim të shërbimeve – eKosova, janë disa nga intervenimet kyçe të parapara për mundësimin e digjitalizimit të shërbimeve. Në këtë platformë me mbi 770 mijë përdorues, tashmë i kemi mbi 130 shërbime elektronike.
Sipas Indeksit të Maturitetit të Teknologjisë të Bankës Botërore, jemi ngritur nga grupi C në grupin B, për fokusin në qeverisje digjitale. E derisa jemi duke lëvizur drejt një të ardhmeje gjithnjë e më digjitale, pashmangshëm rritet edhe rreziku nga kërcënimet dhe sulmet kibernetike. Prandaj edhe rritja e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike të sistemeve dhe infrastrukturës digjitale qeveritare, është një shtyllë tjetër e rëndësishme e strategjisë.
Gjithsesi, faktori kryesor që e përcakton suksesin e kësaj strategjie, janë njerëzit. Sepse këtë e bëjnë njerëzit për njerëzit. Këtu përfshihen profesionistët e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të cilët do të mundësojnë zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale, por edhe të gjithë shërbyesit civil në administratën tonë që do ta përdorin teknologjinë digjitale në punën e tyre të përditshme. Qeveria është angazhuar në krijimin e parakushteve për këtë. 1500 të rinj janë trajnuar për shkathtësi digjitale. Kjo strategji i kushton një rëndësi të veçantë edhe krijimit të kornizave për zhvillim të vazhdueshëm të shkathtësive digjitale në sektorin publik.
Një nga elementet e transformimit digjital, është edhe ajo e koordinimit ndërinstitucional dhe e qasjes mbarë-qeveritare ndaj digjitalizimit. Prandaj edhe një shtyllë tjetër kyçe e strategjisë është pikërisht krijimi dhe fuqizimi i mekanizmave qendrorë për koordinimin dhe mbikëqyrjen e digjitalizimit në qeveri. Aty parashihen masat për fuqizimin e AShI-së, si agjenci përgjegjëse për zbatimin e komponenteve qendrore të qeverisjes digjitale, por edhe krijimi i trupave mbikëqyrës dhe koordinues të transformimit digjital në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Ne tashmë kemi themeluar Komisionin për Transformim Digjital, të cilin e udhëheqi, e i cili ka rol të mbikëqyrjes dhe drejtimit strategjik të digjitalizimit.
Po ashtu kemi krijuar rolet dhe trupat koordinues, si: njësia për transformim digjital, si dhe kryekoordinatori dhe komiteti teknik për transformim digjital. Këto do të mundësojnë qasjen mbarë-qeveritare dhe të koordinuar ndaj digjitalizimit në të gjithë sektorët qeveritarë.
Për një zbatim të suksesshëm të transformimit digjital, duhet në vazhdimësi të përcillen trendet bashkëkohore të zhvillimit të teknologjisë së informacionit. Prandaj edhe inovacioni në e-Qeverisje është përcaktuar si një nga shtyllat e strategjisë sonë. Strategjia parasheh inicimin e projekteve dhe krijimin e celulave të inovacionit brenda sektorit publik për të testuar e pilotuar teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale, big data, machine learning, e blockchain. Këto projekte dhe iniciativa do të ofrojnë mundësi shtesë për bashkëpunim me sektorin privat e akademinë, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Kjo do të jetë një nga mënyrat që strategjia jonë e qeverisjes elektronike do të mund të ndihmojë edhe në nxitjen e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik. Por ky nuk është i vetmi aspekt i ndikimit direkt të strategjisë në ekonomi. Ajo do të mundësojë qasjen e bizneseve në më shumë shërbime elektronike qeveritare, në lehtësimin e marrjes së lejeve dhe licencave, duke ulur kështu kohën dhe koston e të bërit biznes. Dhe të gjitha këto mund të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Natyrisht, pjesa më sfiduese e çdo strategjie është zbatimi i saj. Jemi të lumtur që disa nga partnerët tanë zhvillimorë tashmë kanë shprehur gatishmërinë për ta përkrahur zbatimin e kësaj strategjie dhe të planit të veprimit. Shfrytëzoj rastin t’i ftoj edhe partnerët e tjerë zhvillimorë për bashkëpunim dhe përkrahje në zbatimin e kësaj strategjie të rëndësishme për vendin tonë.
Në fund, dua ta falënderoj Akademinë Estoneze për e-Qeverisje (eGA) për bashkëpunimin e tyre në hartimin e kësaj strategjie, si dhe GIZ-in për përkrahjen e tyre në realizimin e këtij bashkëpunimi.
Faleminderit!