Kurti e Nagavci vizitojnë shkollën “Xhemail Mustafa” në Ditën e Sindromës Down – Qeveria e ka shpallur 2022-ën vit të personave me aftësi të kufizuara

Prishtinë | 21 Mar 2022 | 13:22 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë vizituar shkollën “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ku në orën e parë mësimore u fol për Sindromën Down, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria e tij obligohet t’u krijojë mundësi e kushte të barabarta fëmijët me Sindromen Down.

“Jemi të gëzuar dhe të nderuar me mirëpritjen tuaj në një ditë të rëndësishme për të gjithë neve. Është dita e pranverës mirëpo në anën tjetër gjithashtu edhe Dita Ndërkombëtare e Personave me Sindomën Down”.

“Qeveria e Kosovës e ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara sepse ne besojmë që teksa ne kontribuojmë të gjithë për shtetin, më së pari e më së shumti duhet t’i ndihmojmë ata të cilat i kanë nevojat më të mëdha. Personat me aftësi të kufizuar janë ata që obligohemi t’i krijojmë mundësi e kushte të barabarta por gjithashtu edhe gjithëpërfshirje në shoqërinë tonë”.

“Këtu e kemi edhe Dionën e cila është nxënëse në shkollën “Xhemajl Mustafa” për të cilën unë kam dëgjuar më herët. Prandaj kur e takova unë i thash që ndoshta nuk më njeh mua po unë të njoh ty. Në kryeministri para se të vij këtu kemi pritur edhe organizatën me udhëheqësen Sebahaten të personave me down sindrom, Ndjeshmëria jonë ndaj atyre që janë ndryshe, që nuk e kanë pasur startin e njëjtë sikur ne duhet të jetë më e lartë”.

“Duke pasur përgjegjësi shoqërore ose institucionale kemi obligim dhe borxh ndaj këtyre personave. Në ditë të tjera kemi  kategori të tjera të njerëzve me aftësi të kufizuara por sot është dita ndërkombëtare e personave me sindrom down. Do t’i ndihmojmë edhe prindërit e këtyre personave dhe gjithashtu kemi parapa 100 asistentë shtesë në mënyrë që pabarazinë ta zbusin dhe të krijojmë kushte të njëjta për të gjithë”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, shprehi mirënjohjen për mësimdhënësit për edukimin e gjeneratave të reja.

“E di për punën e madhe që e bëni çdo ditë, kënaqësi që të jem këtu së bashku me kryeministrin sot në shkollën “Xhemajl Mustafa” shprehi mirënjohjen për angazhimin dhe punën e të gjithë mësimdhënësve. Roli dhe angazhimi i mësimdhënësve për çdo ditë në edukimin e gjeneratave e brezave kanë një rëndësi jetike jo vetëm për ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit por edhe për krijimin e një mirëkuptimi shoqëror për pranimin e ndryshimeve si diçka që është një vlerë dhe jo një pengesë”.

Nagavci tha se “ne si ministri e arsimit kemi një varg aktivitetesh edhe veprimesh konkrete në të cilat janë të përfshira në planin e veprimit. Shënimi i orës së parë së mësimit në të gjitha shkollat e republikës së Kosovës, të mesme të ulëta do të flitet më shumë për personat me sindromin down, për vetëdijesimin e fëmijëve. Sesi t’i trajtojmë barabartë të gjithë fëmijët, është një prej aktiviteteve tona”.

Të ngjashme