Kurti e Osmani priten me protesta në Trepçë, zyrtarët e VV-së iu kërkojnë protestuesve “edhe pak durim”

Stantërg | 20 Shk 2020 | 11:25 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, janë pritur me protesta para minierës së Trepçës në Stantërg, derisa po shkonin për të marrë pjesë në manifestimin për 31-vjetorin e grevës së minatorëve, raporton Ekonomia Online.

Aplikantë të pakënaqur me procesin e fundit të punësimit në kombinatin “Trepça”, janë duke protestuar tash sa ditë me radhë para minierës në Stantërg.

Derisa Kurti dhe Osmani nuk janë ndalur të dëgjojnë kërkesat e protestuesve, për të biseduar me ta kanë dalë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe Xhelal Sveçla, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, që të dy zyrtarë të partisë së Kurtit.

Ata kanë kërkuar durim edhe disa ditë.

“Ju e dini që ju kam përkrahë. Pritni”, ka thënë Bahtiri.

“Veç sa kemi nisë me punu”, ka thënë Sveçla, duke nënkuptuar formimin e Qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.

“Edhe ne po duam punë dhe kemi me dhënë punë, vetëm duhet edhe pak durim. Është java e parë, faktikisht për disa java e dytë…”

“Megjithatë unë ju inkurajoj t’i kërkoni të drejtat e juaja”, është shprehur Sveçla.

Protestues, shumë nga ta nga rajoni i Shalës së Bajgorës, konsiderojnë se ata është dashur të kenë përparësi për punësim. E disa janë ankuar se punësimet kanë shkuar me ndikime politike.

Të ngjashme