Kurti: E pranojmë planin franko-gjerman, e konsiderojmë bazë të mirë për negociata të mëtejme

Prishtinë | 06 Shk 2023 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti e ka thënë sot se Kosova e pranon propozimin evropian, të njohur si planin franko-gjerman.

Pas takimit me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Kurti e ka konfirmuar se e ka pranuar propozimin e evropianëve për normalizim të raporteve me Serbinë.

Kurti e ka përsëritur se e sheh propozimin si “një bazë të mirë” për të ecur para me diskutime.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak, në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar Kurti, në Twitterin e tij.

Por, Kurti thotë se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij plani që do t’i adresojë në Bruksel.

“Pyetje të rëndësishme mbi garancitë ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, ka shkruar Kurti.

Të ngjashme