Lëvizja Vetëvendosje, në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, ka mbajtur një tubim në Prishtinë, ku ka prezantuar kandidatët për asamble komunale në këtë komunë.
Duke folur në këtë tubim, Albin Kurti e ka quajtur “yll polar” kryetarin e deritanishëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Kurti u shpreh i bindur se Ahmeti do të fitojë sërish, por ka kërkuar që atij “t’i jepen krahët”, duke e pasur edhe shumicën në Kuvendin Komunal.
“Jepi Krahë Prishtinës” është motoja me të cilën Lëvizja Vetëvendosjes ka zgjedhur të prezantoj Prishtinën në fushatën për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.
Në vazhdim, Kurti ka prezantuar disa nga pikat e programit në tubimin e mbajtur në Prishtinë, ku po prezantohen kandidatët për Kuvendin Komunal të kryeqytetit.
Duke iu bërë thirrje të pranishmëve që ta votojnë numrin 10, ai tha, se ky numër është zgjidhja e vërtetë. Duke thënë se Prishtina gjithmonë ka shërbyer si model i zhvillimit për qytetet tjera, si për të mirë ashtu edhe për të keq, ai i ftoi kandidatët për Kuvend Komunal nga VV që të kenë kujdes sepse ata “janë pasqyrë e qeverisjes së VV-së”.
Për kritikët e qeverisjes së Shpend Ahmetit, Kurti tha se kanë zgjedhur cinizmin në mungesë të argumenteve.
“Nuk ka gjë që do ta ndalë fitoren e Vetëvendosjes”, tha Kurti në këtë tubim, duke u shprehur i bindur për fitore edhe në zgjedhjet e 22 Tetorit.
Ahmeti: Votojeni numrin 10 dhe jepni krahë Prishtinës!
Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, njëherit kandidat për mandat të ri në këtë post, Shpend Ahemti, u shpreh i bindur se përveç fitores në Prishtinë, VV do të dalë fituese edhe në shumë komuna të tjera.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë numrin 10. Më tej, ai potencoi faktin se gjatë mandatit të tij katër vjeçar janë përmbushur 12 zotimet e dhëna në fushatën paraprak, duke përmendur në veçanti premtimin për barazi sociale.
“Votone numrin 10 dhe jepni krahë Prishtinës”, ishte porosia e tij për kryeqytetasit, pasi që prezantoi veç e veç gjithë kandidatët për Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Ymeri: Lëvizja po na lëviz përpara, me mendje me zemër
Në tubimin e VV-së në Prishtinë, ku u prezantuan kandidatët për Kuvendin Komunal, kryetari Visar Ymeri theksoi se në këtë fushatë zgjedhore VV është duke hyrë si subjekti më i madh politik në Republikën e Kosovës, e edhe në Prishtinë.
“Asnjëherë më parë në historinë elektorale të Kosovës e Prishtinës nuk e gjen dot një subjekt me kaq shumë vota sa VETËVENDOSJE!. Kur protestonin në rrugë, na thanë kur të vini në Kuvend do të bëheni si ne. Ne hymë në Kuvend por si ata nuk u bëmë. Madje e begatuam Kuvendin si kurrë më parë. Atëherë na thanë se kur të vini në qeverisje, do të korruptoheni e korruptoni si ne. Ne qeverisim në Prishtinë me Shpendin tash e 4 vite. Por nuk u bëmë kurrë si ata. Madje e transformuam Prishtinën si kurrë më parë”, tha Ymeri në këtë tubim.
Ai shtoi se VV gjatë ecjes së saj e ka dëshmuar se qëndrueshmëria konceptuale e ndershmëria politike jo që janë të mundshme, por edhe të domosdoshme, duke e quajtur këtë të vetmen mënyrë për t’i bashkuar njerëzit, me ç’rast mori shembull zgjedhjet e 11 Qershorit. Ymeri iu shprehu mirëseardhje edhe dy aktivistëve të rinj që i janë bashkuar VV-së.
“Shfrytëzoj rastin sonte t’u uroj mirëseardhje Petrit Bicajt që ishte kryetar i nëndegës në Ulpianë të LDK-së dhe anëtari i kryesisë së të njëjtës nëndegë, Ferki Çitakut, që i janë bashkuar këtij rrugëtimi tonë në Lëvizje. Petrit, Ferki mirëserdhët”, u shpreh Ymeri.
“Kjo është Lëvizja Vetëvendosje: Njëkohësisht edhe politikë edhe emancipim. Edhe përfaqësim i popullit edhe përfytyrim i së ardhmes. Edhe ekzekutiv pushteti edhe përbashkim qytetarësh. Lëvizja po na lëviz përpara, me mendje me zemër”.
“E me këtë listë të mrekullueshme për asamble, e me Shpendin në krye Prishtina po merr krahë. Duke i votuar këta kandidatë, nuk votoni disa zotërinj parazite që mezi presin të ulen në karrigen e butë, por votoni aktivistët punëtorë që janë gjithnjë në këmbë, gati për të shërbyer”, shtoi Ymeri.
Albulena Haxhiu kërkon mobilizim për fitore në zgjedhjet e 22 Tetorit
Në fjalën e saj para prishtinasve, deputetja Albulena Haxhiu theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 qershorit, duke i quajtur ato si moment i një kthese të madhe në skenën politike.
“11 qershori ishte dita kur qytetaret votuan për ndryshim dhe me votën e tyre tronditën e ndëshkuan subjektet që kanë degraduar për vite me radhë Kosovën dhe votuan lëvizjen si subjektin e parë në Republikën e Kosovës, e po ashtu Albini mori përkrahjen më të madhe nga qytetarët e Republikës si kandidat për kryeministër”, tha deputetja Haxhiu.
Ajo numëroi tri arsye që çuan në këtë rezultat, duke përmendur fillimisht punën e palodhshme 12-vjeçare të secilit aktivist, opozitarizmin e fuqishëm të VV-së në Kuvendin e Kosovës dhe qeverisjen e Komunës së Prishtinës.
“Edhe në komunat e tjera, qytetarët duan luftim të korrupsionit, e qeverisje pa korrupsion, ujë 24 orë, shërbime më të mira komunale, shtëpi të shëndetit si në Prishtine, autobusë, shujta për fëmijët, banesa për familjet në nevojë e sidomos për nenat vetushqyese. Pra qeverisja e Vetëvendosjes në Prishtinë, dëshmoi që PO, lëvizja është ndryshe nga subjektet tjera”, vazhdoi Haxhiu.
“Të dashur qytetarë, për ne si Lëvizje, është jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja për vajzat dhe gratë. Ne listën tonë për Asamble ka gra të profesioneve te ndryshme: mjeke, arkitekte, ekonomiste, juriste, sportiste, ka gra që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë sidomos për shtresa të pakënaqura, të shtypura e të përjashtuara ku hyjnë edhe gratë”, shtoi Haxhiu, ndërsa bëri thirrje për mobilizim në zgjedhjet e 22 Tetorit për ta vulosur fitoren, duke kërkuar në veçanti mbështetje dhe votë për gratë e vajzat.