Kurti viziton ShSKUK-në, shpreh përkrahjen e Qeverisë për t’i përmbushur objektivat

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar sot Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Në kuadër të kësaj vizite, Kurti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë për të përmbushur objektivat në të ardhmen.

Njëherit, janë takuar me drejtorin e këtij institucioni, Elvir Ajvazi dhe Drejtorin e Shërbimeve të Përbashkëta Teknike dhe Administrative, Mentor Zejnullahu.

“Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë kësaj periudhe janë evidente rezultatet dhe kontributi i shtuar, dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë me qëllim të përmbushjes së objektivave në të ardhmen. Në këtë takim, krahas hartimit të statutit të ri të ShSKUK-së dhe QKUK-së që do të avancojë edhe më tej shërbimet shëndetësore, kryeministri Kurti u njoftua rreth punës në drejtim të përmirësimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, projekteve të reja të cilat planifikohen të realizohen, sa i përket ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe investimeve në spitalet e përgjithshme regjionale me qëllim të rritjes së përformancës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, bëhet e ditur se temë e posaçme ishte edhe ngritja e trupave profesionale, konsiliumet mjekësore në klinika, si dhe të mekanizmave monitorues me qëllim të mbarëvajtjes dhe respektimit të orarit të punës.

“Aty u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të jashtëm, sidomos në degët deficitare me qëllim të përfitimit nga përvoja e shteteve me sistem të avancuar shëndetësor”, thuhet tutje.

Të ngjashme