Kurti e vlerëson marrëveshjen për termocentralin “Kosova e Re” si shumë të dëmshme

Prishtinë | 14 Mar 2018 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kundërshtuar sërish ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke e quajtur si tepër të dëmshme marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me konsorciumin amerikan “Contour Global”, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria aktuale është një Qeveri e madhe që e ka pasur një vendim të madh për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ me ‘Contour Global’. Sipas kontratës, Contour Globalit do t’i paguhen të gjitha këstet e kredisë”.

“Contour Globali e don edhe normën 8 të kthimit të brendshëm në kapital. Qytetarët do ta paguajnë riskun, do të japin falas tokën, do të japim infrastrukturën e ujit dhe të negociojmë jashtë rregullave”.

Kurti gjithashtu ka kërkuar të shpërbëhet Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

“Ne insistojmë që të shpërbëhet Agjencia e Privatizimit dhe të formohet Fondi Sovran”.

Çka parasheh marrëveshja me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”:

Marrëveshja komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, e cila u nënshkrua më 20 dhjetor 2017, parasheh një investim prej 1.3 miliard euro për të jetësuar njësinë e re prej 500 megavatësh brenda një periudhe katërvjeçare.

“Contour Global” do të sigurojë kapitalin (30% të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës thekson se ndërtimi i këtij termocentrali i jep pavarësi energjetike Kosovës dhe do ta zvogëlojë varësinë nga çmimi i paparashikueshëm të energjisë në tregun rajonal.

Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re do të zëvendësojë dhe njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A”.

Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në përputhje me standardet mjedisore të Direktivave të Bashkimit Evropian. Me teknologji të re super-kritike, njësia do të ketë efiçencën neto më të madhe se 40.0% duke përdorur sistemet më të fundit të djegies së brendshme dhe të kontrollit të cilësisë së ajrit. Kjo nënkupton konsum më të vogël të linjitit dhe rrjedhimisht emetim më të ulët. Masat e tjera që do të merren gjatë këtij procesi për të vënë nën kontroll ndotjen përfshijnë mbylljen e TC “Kosova A” dhe rehabilitimin e TC “Kosova B”.

Në fazën e dytë, pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Komerciale, ContourGlobal do të shpallë një proces ndërkombëtar të prokurimit për të përzgjedhur kompaninë e cila do të ndërtojë impiantin e termocentralit “Kosova e Re”. Bëhet e ditur se deri më sot, interesim kanë shfaqur kompani me shtrirje globale si General Electric, Mitsubishi Hitachi, Siemens, Doosan, etj.

TC “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20-vjeçare dhe pa asnjë kosto. Jetëgjatësia e termocentralit është llogaritur 40 vjet, periudhë e mjaftueshme tranzitore drejt sigurimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

LEXO EDHE:

https://ekonomiaonline.com/ekonomi/kosova-nenshkruan-kontraten-me-contour-global-per-ndertimin-e-tc-kosova-e-re/

Të ngjashme