Kurti: Eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120%, investimet direkte janë dyfishuar

Prishtinë | 16 Maj 2023 | 10:15 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu dhe pas pavarësimit të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e Themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, Kurti ka thënë se kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe duke ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat.

Sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120%, nga 7 milionë në vitin 2020, 15.4 milionë në vitin 2022, ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar ishin dyfish më shumë sesa vitin 2021.

“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu dhe pas pavarësimit të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash; nga zhvillimi ekonomik e deri te bashkëpunimi në fushën e  sigurisë.  Këtë vit, bashkë me 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, shënuam edhe 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve”.

“Kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe duke ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat. Ekspertët austriakë ndër vite, kanë ofruar mbështetje duke ndihmuar në forcimin e institucioneve tona dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Sigurisht, Austria ka qenë një avokate e fortë për Kosovën në skenën ndërkombëtare, duke punuar për të promovuar interesat tona dhe për të mbështetur përpjekjet tona për t’u integruar në Bashkimin Evropian”.

“Ishte ndër shtetet e para që mirëpriti dhe mbështeti aplikimin tonë në Bashkimin Evropian, dhe ndër shtetet që me votë dëshmoi mbështetjen e saj për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe për këtë i jemi mirënjohës”, u shpreh Kurti, teksa përmendi edhe shkëmbimet tregtare ndërmjet Austrisë dhe Kosovës.

“Shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona kanë vazhduar trend pozitiv. Vetëm në dy vitet e fundit (2020-2022), eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120% (7 milionë në 2020, 15.4 milionë në vitin 2022),  ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar (2022) ishin dyfish më shumë sesa vitin pararendës (2021)”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Kjo duhet të jetë ngjarja e katërt në 10 ditët e fundit të këtij muaji, që është ende në gjysmën e tij, në qendër të vëmendjes është bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Për dy vende mike, partnere e aleate, ndoshta edhe nuk është shumë.

Shkëlqesia Juaj Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu,

Ish president i Republikës së Kosovës, i nderuari Profesor Fatmir Sejdiu,

I nderuari z. Lukas Mandl, Deputet i Parlamentit Evropian nga Austria,

Shkëlqesia Juaj Ambasador Christoph Weidinger, Ambasador i Austrisë në Kosovë,

I nderuari z. Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,

I nderuari Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës,

I nderuari z. Arsim Vranovci, President i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri,

E nderuara znj. Bettina Rausch (Rauh), Deputete e Parlamentit Austriak dhe Presidente e Akademisë Politike të Vjenës,

I nderuari z. Alban Hyseni, Kryetar i Komunës së Gjilanit,

I nderuari z. Naim Ternava, Myfti i Kosovës,

Të nderuar pjesëmarrës, zonja  dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e madhe të jemi së bashku në këtë rast të veçantë, në themelimin e shoqatës së re të miqësisë kosovaro-austriake. Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu edhe pas pavarësimit të vendit tonë, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash; nga zhvillimi ekonomik e deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë.  Këtë vit, bashkë me 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, shënuam edhe 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona.

Kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe duke ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat. Ekspertët austriakë ndër vite, kanë ofruar mbështetje duke ndihmuar në forcimin e institucioneve tona dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Sigurisht, Austria ka qenë një avokate e fortë për Kosovën në skenën ndërkombëtare, duke punuar për të promovuar interesat tona dhe për të mbështetur përpjekjet tona për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ishte ndër shtetet e para që mirëpriti dhe mbështeti aplikimin tonë në Bashkimin Evropian, dhe ndër shtetet që me votë dëshmoi mbështetjen e saj për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe për këtë i jemi gjithsesi mirënjohës.

Shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona kanë shënuar trend pozitiv. Vetëm në dy vitet e fundit (2020-2022), eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120%, ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar, pra në vitin 2022 ishin dyfish më shumë sesa në vitin pararendës 2021.

Megjithatë, partneriteti ynë me Austrinë është më shumë se thjesht një komoditet apo mall. Ai bazohet në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës. Ne ndajmë një vizion për një Evropë paqësore, të begatë dhe të integruar, ku të gjithë kombet dhe popujt zhvillohen dhe janë të barabartë.

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka bërë përparim të dukshëm drejt këtij vizioni. Nuk ka raport ndërkombëtar kredibil i cili nuk e ka evidentuar progresin tonë demokratik dhe ekonomik. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës. Rritjen mesatare ekonomike në dy vitet e para të qeverisjes sonë ka qenë rreth 7%. Gjatë kësaj periudhe, të hyrat tatimore janë rritur për 66%, pra 2/3 për vetëm dy vite, dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar. Mesatarisht, gjatë çdo viti të qeverisjes sonë, i kemi shtuar më shumë ekonomisë sonë sesa në tre vitet e mëparshme marrë së bashku. Eksportet për herë të parë këtë vit pritet të arrijnë vlerën prej 1 miliard euro.

Në Austri kemi Rrjetin e Bizneseve Shqiptare të Diasporës. Në Kosovë vepron Zyra tregtare e Odës Ekonomike Austriake. Në prill të vitit të kaluar mbajtëm Forumin ekonomik Kosovë-Austri këtu në Prishtinë nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Kosova është anëtare e Forumit Ekonomik të Vjenës. Javën që lamë pas, për herë të parë organizuam konferencën Bisedat Ekonomike të Vjenës (Vienna Economic Talks), në bashkëpunim me Forumin Ekonomik të Vjenës.

Nga sot themelimi i shoqatës së re të miqësisë Kosovaro-Austriake do të jetë një tjetër pikënisje për zgjerim të kontakteve dhe shumëzim të urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve, shteteve dhe bizneseve të të dy vendeve tona.

Të gjitha këto dëshmi të raporteve tona aktuale, janë motivi ynë për potencialin e marrëdhënieve tona. Sot po hedhim edhe një hap drejt atij potenciali.

LEXONI EDHE:

https://ekonomiaonline.com/osmani-austria-na-ndihmoje-ne-shtet-ndertim-bashkepunimi-ekonomik-baze-per-miqesi-afatgjate/

Të ngjashme