Kurti: Enver Zymberi mbetet simbol i ligjshmërisë, dënimi i personave që e vranë është i domosdoshëm

Prishtinë | 26 Kor 2023 | 10:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, tha se dënimi i personave që e vranë policin Enver Zymberi para 12 vitesh në veri të vendit është i domosdoshëm.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se Zymberi u vra nga strukturat kriminale serbe, madje e quajti simbol të ligjshmërisë, raporton Ekonomia Online.

“12 vite më parë ai u vra nga strukturat kriminale të Serbisë dhe do të mbetët simbol i përjetshëm i ligjshmërisë në Republikën e Kosovës”.

“Drejtësia dhe dënimi për varësit e tij është domosdoshmëri. Emrin e tij do ta lartësojmë edhe sot me zbulimin e pllakës së tij përkujtimore.Sot bashkë me të përkujtojmë 22 zyrtarët e rënë të policisë së Kosovës”.

Kurti njoftoi në mbledhje të Qeverisë për organizimin e një akademie përkujtimore në nderim të veprimtarit dhe intelektualit Adem Demaçi, në 5-vjetorin e vdekjes së tij.

“Në nderim të bacës Adem, nën patronatin tim, sot do të organizohet një akademi përkujtimore”, tha Kurti para ministrave.

Kjo akademi përkujtimore pritet të mbahet në orën 19:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

“Përkulemi para veprës së tij me zotimin për t’i qëndruar besnik mësimeve dhe trashëgimisë që la pas”, tha Kurti.

Të mërkurën, kampi i policisë “Belvedere” në Mitrovicë, do ta marrë zyrtarisht emrin e ri, “Enver Zymberi”, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës në agjendën ditore të kryeministrit Albin Kurti.

Adresimi i Kryeministrit Kurtit në mbledhjen e 153-të të Qeverisë

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,

Të dashur qytetarë,

Kjo mbledhje e sotme korrespondon me dy përvjetorë të rëndësishëm të jetës sonë politike dhe publike. 

Pesë vjet më parë, u nda nga jeta, veprimtari i pashoq, intelektuali i shquar i kohës sonë, Adem Demaçi. Unë ditën e fillova pikërisht duke bërë homazhe te varri i tij. Përkujtimi për jetën dhe veprën e tij, është rikujtimi më i mirë për shërbimin, për sakrificën, për qëndresën dhe për idealin. I kaloi gjithsej 28 vjet nëpër burgje, e mbeti i pathyeshëm përherë. Përballë pushteteve shtypëse jugosllave e serbe mbi shqiptarët, për asnjë moment nuk pranoi kompromise me lirinë, edhe atëherë kur iu mohua liria, e iu kërcënua jeta. Sepse për Bacën Adem, liria dhe jeta ishin një. Jetën për liri. Lirinë deri në vdekje. Përkulemi para veprës së tij, me zotimin për t’i qëndruar besnik mësimeve dhe trashëgimisë që la pas. Në nderim të Bacës Adem, nën patronazhin tim, si kryeministër, sonte do të organizohet edhe një Akademi Përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar prej orës 19:00.

E një vit më parë, në të njëjtën datë dhe po në mbledhje të Qeverisë, së bashku kishim caktuar 26 korrikun si Ditën Memoriale të Policëve të rënë në kryerje të detyrës.

Kjo datë përkon me përvjetorin e rënies së zyrtarit policor, heroit Enver Zymberi. 12 vite më parë, ai u vra nga strukturat kriminale të Serbisë gjatë një aksioni që po zhvillonte Policia e Kosovës në veriun e vendit tonë. Enver Zymberi do mbetet simbol i përjetshëm i sovranitetit dhe i ligjshmërisë në Republikën e Kosovës. Drejtësia dhe dënimi për vrasësit e tij është domosdoshmëri, ndërsa vijimësia e angazhimit të kolegëve të tij në çdo cep të Republikës sonë, është shembulli më i mirë që kemi mes nesh.

Emrin e tij do ta lartësojmë e nderojmë edhe sot, me zbulimin e pllakës së tij përkujtimore në kampin e Policisë, në “Belvedere”, të cilin do ta quajmë Kampi i Policisë, “Enver Zymberi”.

Sot, bashkë me të, përkujtojmë 22 pjesëtarët e rënë të Policisë së Kosovës, në situata të ndryshme, sakrifica e të cilëve u bë njësoj shembull i brezave të rinj e gjeneratave të reja të Policisë së Kosovës, të cilat sa vijnë e shtohen.

Lavdi të gjithëve!

Ju faleminderit.​

Të ngjashme