Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për çështjet politike ditore, referuar pyetjes së a do të shkojë në takim te presidentja e Kosovës Vjosa Osmani për të diskutuar datën e zgjedhjeve, do të flas nga Prishtina dhe jo nga Prekazi, raporton Ekonomia Online.
“Sot është dita e dytë e Epopesë së UÇK-së. Në ora 13 kemi edhe një ekspozitë në hollin e Kuvendit. Pastaj në ora 19:00 të darkës e kemi akademinë përkujtimore. Për të gjitha çështjet e politikës ditore do të mund të flasim dhe t’iu përgjigjem nga Prishtina”, tha ai.
Paraditen e sotme, Presidentja e Kosovës ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, ku paralajmëroi edhe takime me liderët e partive politike për të caktuar datë. Ndërsa ka hedhur kritika se zgjedhjet e reja erdhën pas vendimit të të zgjedhurve të popullit në seancën e mbrëmjes së 5 marsit.


