Kurti i përgjigjet Escobarit se “konflikti do të jetë rajonal”: Unë di shumë gjëra por jo edhe aq shumë

Prishtinë | 20 Qer 2023 | 16:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me deklaratat e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se ka potencial për “konflikt rajonal”, ka thënë se emisari duhet të pyetet se cilat shtete tjera pos Kosovës e Serbisë ka menduar kur ka dhënë atë deklaratë.

“Unë di shumë gjëra, por jo aq shumë. Do të duhej ta pyesni emisarin Escobar kur ka folur për konflikt rajonal për cilat shtete pos Kosovës e Serbisë ka menduar. Mali i Zi s’e besoj, Maqedonia e Veriut po ashtu. Kryeministri Rama ka kërcënuar Beogradin, ndoshta. Por do të duhej ta pyesni emisarin Escobar për këtë”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

Kurti ka thënë se asnjë diplomat nuk duhet të ketë mëdyshje se kë të mbështesë për situatën në veri.

“Në veri të Kosovës e kemi KFOR-in, EULEX-in e së pari e mbi të gjitha Policinë e Kosovës, që po zbaton rend e ligj, e po ashtu i kemi atje edhe strukturat ilegale të Serbisë. Është konflikt në mes të një Republike demokratike dhe strukturave ilegale të një shteti autokratik”, tha Kurti.

“Policia e jonë po ja del shumë mirë, shumë polici s’do ta kishin as për së afërmi efikasitetin që e ka Policia jonë. Dhuna e bandave kriminale është shprehje paniku. Kanë besuar se Kosova s’do të ketë kurrë polici që merret me ta, por ajo jo që guxon, por edhe i ka arrestuar e po i mban në burg. Nga paniku vjen kjo sjellje e dhunshme. S’kam informacion që sundimi i ligjit në veri të Kosovës do të na sjellë një konflikt rajonal”, tha Kurti.

Të ngjashme