Pasi nuk u arrit që të zgjedhet një president, e as të bind opozitën që të jetë në sallën e Kuvendit kur të fillojë procesi i votimit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdon të insistojë se emri i Murat Jasharit do të ishte zgjidhja e duhur, raporton Ekonomai Online.
Por Kurti në konferencën për media tregon çka kishte kërkuar kryetari i PDK-së, bedri Hamza, dhe për të cilën thotë se kërkesat e ngjashme nuk mund t’i pranonte si një kryeministër demokrat dhe një lider i një partie të cilit statuti nuk lejon marrëveshje blanko.
“Asnjëherë prej asnjërit prej tyre nuk mu tha asnjë emër për president. Presidenti, presidentja është emër i përveçëm. Si të ecim përpara nëse askush nuk thotë asnjë emër? Pikënisja ishte presidenti konsensual, dikush që do të arrinte të siguronte kuorumin dhe më shumë se aq. Natyralisht familja Jashari, Murat Jashari. Por nuk arritëm në atë pikë. Unë jam i bindur që nga familja Jashari do ta kishim presidentin që do të zgjidhej në raundin e parë me numër treshifror të votave për herë të parë në historinë parlamentare të Kosovës. Por nuk arritëm aty”, tha ai.
Kurti thotë se Hamza i kërkoi edhe marrëveshje përmes të cilës do të siguronte që kandidatë e PDK-së për president do të votoheshin.
“Kur nuk u bë e mundur të kemi një figurë konsensuale, mua mu tha nga kryetari i PDK-së që ata kërkojnë që dy kandidatë për president të jenë të propozuar nga PDK dhe njëkohësisht të bëhet marrëveshje politike ku unë garantoj që të votohet dhe në mënyrë që njëri prej tyre të votohet. Ia kam shpjeguar me dashamirësi Bedri Hamzës se një gjë e tillë është e pamundur për mua si një kryeministër demokrat dhe si kryetar i LVV që ka statutin e saj që nuk lejohen blanko marrëveshje. Nuk mund të bëj marrëveshje pa pasur emra. E falënderoj Hamzën që ka pasur mirëkuptim për këtë reagim timin”, tha ai.