Kurti: Jo vetëm që NATO-ja e mbron Kosovën, por edhe Kosova NATO-n

Prishtinë | 09 Tet 2022 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se jo vetëm që NATo-ja e mbron Kosovën, por edhe anasjelltas.

Duke folur në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kurti ka thënë se Kosova e mbron historinë e suksesit të intervenimit të NATO-s në vend.

“Edhe pse Kosova nuk është në NATO, NATO-ja është në Kosovë. Kosova është një pjesë e rëndësishme e historisë së NATO-s. Nuk jam pretencioz kur them se jo vetëm që NATO-ja e mbron Kosovën por edhe Kosova NATO-n, pasi ne e mbrojmë storien e suksesit të intervenimit të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Kurti: Serbia synon territorin e të tjerëve, por pa të tjerët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka thënë se Serbia nuk synon të imponojë mënyrën e vet të jetesës te të tjerët, por territorin e të tjerëve, pa prezencën e të tjerëve.

“Nuk jam i sigurt që Serbia synon të imponojë mënyrën e vet të jetesës te të tjerët, në të vërtetë ajo synon territorin e të tjerëve pa të tjerët, nuk kemi të bëjmë me mënyrën e jetesës me çështje kulturore ose fetare, kemi të bëjmë me ide tipike ekspansioniste të dominimit të këtij rajoni të Evropës, duke llogaritur në ndihmën nga Federata Ruse”, ka thënë Kurti.

Ai tha se “duhet të jemi vigjilent sepse lidhjet në mes të Beogradit dhe Kremlinit janë të shumëfishta, janë të thella dhe nga aspekti ekonomik e ushtarak të gjera”.

Ndërkaq shtoi se nuk ka ndonjë dallim në mes të Millosheviqit në të kaluarën dhe Putinit sot, sipas tij kemi të bëjmë me autokraci.

Të ngjashme