Kurti ka një mesazh për opozitën: Po çlirohemi nga korrupsioni, drejtësia të zhvishet nga ndikimet politike

Prishtinë | 23 Maj 2023 | 13:06 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka lansuar Strategjinë Kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se janë duke e përmbushur zotimin në rrugën drejt një shoqërie të çliruara nga korrupsioni.

Sipas tij, sistemi gjyqësor e ai prokurorial duhet të zhvishen nga ndikimet politike. Ai pati kritika edhe për opozitën që po pengojnë çdo reformën në drejtësi duke iu drejtuar Gjykatës Kushtuese.

“Mungesa e korrupsionit në Qeveri kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët tanë e kanë besuar këtë duke votuar masivisht në zgjedhjet e fundit. Gjatë qeverisjes dy vjeçare kemi rezultate të prekshme të luftimit të kontrabandës, reformën po e vazhdojmë me vettingun. Vonimi i rezultateve që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtarë, bie në përgjegjësinë e partive opozitare që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresimin në Kushtetuese. Por qytetarët na kanë besuar me votën e tyre”.

“Sot jemi mbledhur për të përmbushin zotim dhe përgjegjës për ta hartuara Strategjinë Kundër Korrupsionit duke shtruar rrugën drejt një shoqërie të çliruara nga korrupsioni. Duhet ta kthejmë vëmendjen nga prokurorimi publikë. Zëri i qytetarit duhet të dëgjohet nga të gjithë. Suksesi i strategjisë do të varte nga bashkëpunimi i të gjithë akterëve. Unë kam besim tek këta sepse përfaqësojnë nivelin më të lartë qeveritar, këta do të harrojnë strategjinë që do ta mundësojnë transferimin e institucioneve”.

“Jemi të obliguar të krijojmë ambient ku sistemi gjyqësor e prokurorial zhveshët nga çdo lloj ndikimi politik dhe vepron vetëm në bazë të ndërgjegjes personale dhe përgatitjes profesionale të gjyqtarit dhe prokurorit në bazë të të cilit edhe gjykohet nga publiku”.

Ministri i Financave Hekuran Murati, i cili është Udhëheqës i grupit ndërministror për hartimin e kësaj strategjie, tha se përmes kësaj strategjie synojnë që ta luftojnë korrupsionin nga të gjitha anët.

“Të gjithë e njohim ndikimi që ka korrupsioni në shoqëri. Ai pengon rritjen ekonomike dhe pengon qytetarët që të zhvillojnë një jetë të shëndetshme”.

“Sot po shënojmë një ditë të rëndësishme për të luftuar korrupsionin në vend. Përmes kësaj strategjie synojmë të luftojmë korrupsionin nga të gjitha anëtar. Rruga drejt luftimit të korrupsionit kërkon vullnet dhe punë dhe në si Qeveri e kemi dëshmuar këtë”, tha ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar ministra, Murati e Rizvanolli, dhe Sveçla,

Të nderuar drejtues të institucioneve të Agjencioneve të shtetit tonë, të doganave, ATK-së, Agjencionit Kundër Korrupsion,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,

Zonja dhe zotërinj,

Sot hapim së bashku takimin e parë të punës për hartimin e Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit. Ne duam etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit, e kontratave në këmbim të parave.

Indeksi i Transparency International është tregues i mirë i suksesit të Qeverisë në luftimin e korrupsionit. Rritja për 20 vende më lart në raport me praktikat e kaluara, dëshmon vullnet të një Qeverie të përgjegjshme për jetesë më të mirë për qytetarët. Mungesa e korrupsionit në Qeveri, përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët tanë kanë besuar këtë, gjë të cilën kanë dëshmuar me votimin masiv për ndryshime në zgjedhjet e  fundit parlamentare. Këtë besim po e shndërrojmë në rezultate të cilat po tregojnë që zyrtari publik punon për publikun e jo për t’u pasuruar për vete apo për dikë tjetër privatisht, ndërkaq meritokracia, e drejta dhe rregullat e qarta e transparente bëhen parime bazë të punës së një administrate serioze, profesionale e llogaridhënëse.

Gjatë qeverisjes dy vjeçare kemi treguar rezultate të prekshme në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, që ka rezultuar me arrestimin e mbi 3200 personave, prej të cilëve mbi 300 janë zyrtarë publikë, e me 38 të arrestuar vetëm në rastin e keqpërdorimeve me subvencione. Reformën po e vazhdojmë me vetting të pozitave të larta në sistemin gjyqësor e prokurorial, dhe luftim të pasurisë së pajustifikueshme me Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë. Vonimi i rezultateve që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtar mund të numëroheshin edhe sot, bie nën përgjegjësinë e partive opozitare që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresim të  Kushtetuesja. Por, qytetarët ne na ka besuar me votë të ndryshimit andaj, ne këtë ndryshim edhe do ta sjellim.

Korrupsioni, siç e dimë të gjithë, ka lënduar shoqërinë tonë për një kohë të gjatë, duke minuar institucionet demokratike besimin e qytetarëve, por edhe progresin tone si shtet. Mirëpo, sot jemi mbledhur për të përmbushur zotimin dhe përgjegjësinë që na është dhënë, për të hartuar Strategjinë Shtetërore kundër Korrupsionit, duke shtruar kështu rrugën drejt një shoqërie të çliruar nga korrupsioni.

Është detyrë e jona që përmes reformës institucionale e propozimeve për plotësim apo ndryshim të kornizës ligjore, të ruajmë pasurinë natyrore, buxhetin shtetëror, të sigurojmë transparencë në punën e institucioneve duke fuqizuar edhe deklarimin e pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë e duke krijuar infrastrukturë ligjore për zbulimin e përfituesve të fundit.

Në veçanti duhet ta kthejmë vëmendjen nga prokurimi publik dhe të sigurohemi që çdo kompani e papërgjegjshme vihet në listë të zezë, kurse marrim llogaridhënie të plotë të të gjithë akterëve relevantë të prokurimit publik nisur nga bordet e deri te zyrtarët e prokurimit, për të gjitha veprimet dhe vendimet e marra.

Jemi të obliguar të krijojmë ambient ku zyrtarët publikë veprojnë në bazë të standardeve më të larta të etikës, ku shpërdorimi i detyrës zyrtare ndëshkohet në mënyrë të drejtë dhe efikase, bazuar në ligj dhe jo në teke personale, e ku sistemi gjyqësor e prokurorial zhveshët nga çdo lloj i ndikimit politik, dhe vepron vetëm në bazë të ndërgjegjes personale e përgatitjes profesionale të gjyqtarit e prokurorit, mbi bazën e të cilëve edhe gjykohet nga publiku. Zëri i qytetarit duhet të dëgjohet nga të gjithë, e kjo nënkupton përkushtim në detyrë, veprim në bazë të ligjit, përulje e efikasitet kundrejt arrogancës.

Edukimi dhe ngritja e vetëdijesimit luajnë rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit. Qytetarët tanë, e në veçanti të rinjtë, duhet të pajisen me dije dhe vlera të cilat kultivojnë kulturë të integritetit. Përmes zhvillimit të përgjegjësisë civile dhe sjelljes etike, fuqizojmë gjeneratat e reja që të bëhen pishtarë të ndryshimeve pozitive e progresiste.

Suksesi i Strategjisë do të varet nga përkushtimi dhe angazhimi i të gjithë akterëve. Shoqëria civile, sektori privat dhe mediat e pavarura na mbajnë të përgjegjshëm dhe sigurojnë transparencë. Të njëjtit i ftoj të marrin pjesë në çdo takim të grupit punues e të japin kontributin e tyre në finalizimin e Strategjisë.

Komisioni Ndërministror i udhëhequr nga Ministri Murati, e në përbërje të Ministres Rizvanolli, ministres Haxhiu e Ministrit Sveçla, do jetë në kontakt të vazhdueshëm me grupin punues e do prioritizojë punën në hartimin e Strategjisë. Unë kam besim te këta sepse përfaqësojnë nivelin më të lartë qeveritar në fushën e financave e të ekonomisë, të drejtësisë e të punëve të brendshme. Këta do të hartojnë dokumentin që do reflektojë ambicien tonë kolektive – pra, do hartojnë Strategjinë që do mundësojnë transformimin e institucioneve në ato të qeverisjes së mire, me transparencë e me integritet.

Ju falemnderit.

Të ngjashme