Kurti: Kosova dhe Shqipëria duhet të fokusohen në ekonomi dhe në mbrojtje

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Shqipëria duhet të fokusohen në ekonomi dhe në mbrojtje të përbashkët, pasi këto të dyja do t’i bënin shqiptarët që të ndihen më të sigurt dhe të kenë më të parashikueshme të ardhmen e tyre, sa u përket mirëqenies së brendshme dhe një lloj rahatie rajonale në Ballkanin Perëndimor, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo ka qenë porosia e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke aluduar në zhvillimet e fundit pas marrëveshjeve të nënshkruar mes dy vendeve, por njëkohësisht edhe me ngjarjet e fundit në veri, si pasojë e vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Të hënën, dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjet e përbashkëta, ku kanë nënshkruar disa marrëveshje. Ato kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Megjithatë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës mes këtyre shteteve janë nënshkruar dhjetëra të tilla, por zbatimi i tyre ka ngecur.

Për këtë, gjatë një tribune me temën “Integrimi ekonomik kombëtar: Bashkëpunimi – Harmonizimi – Bashkimi”, të mbajtur me rastin e Ditës së Flamurit dhe 106-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të mërkurën, Kurti ka thënë se Kosovës dhe Shqipërisë i duhen punë të përbashkëta e jo vetëm takime e mbledhje dhe se nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta nuk garanton zbatimin e tyre.

Edhe pse, sipas tij, Kosova dhe Shqipëria janë më afër se kurdoherë, ato janë larg nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat edhe pse nuk i përkasin një kombi kanë valutën e tyre të përbashkët, tregun e përbashkët, madje edhe bankën qendrore me seli në Frankfurt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme