Kurti: Kosova me kompani të saj ajrore

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri Albin Kurti janë zotuar në programin e tyre qeverisës se brenda mandatit do të nisin procesin për themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik, në partneritet me aktorë të rëndësishëm të industrisë së aviacionit brenda dhe jashtë vendit.

Ky zotim vjen në një kohë kur Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve dhe është kthyer në një nga pikat më të rëndësishme të lidhjes së Kosovës me Evropën dhe botën. Vetëm gjatë viteve të fundit, numri i pasagjerëve ka kaluar mbi 4 milionë në vit, ndërsa diaspora jonë vazhdon të mbetet shtylla kryesore e qarkullimit ajror dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Në këtë realitet të ri ekonomik dhe shoqëror, Kosova ka nevojë të ndërtojë kapacitete të veta strategjike në aviacionin civil. Themeli i një kompanie ajrore publike synon të rrisë konkurrencën në tregun ajror, të zgjerojë lidhjet me qendrat kryesore evropiane dhe të krijojë mundësi të reja zhvillimi ekonomik e profesional për qytetarët e Kosovës.

Kompania ajrore publike do të jetë pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e sektorit të aviacionit civil dhe fuqizimin e kapaciteteve vendore. Përmes saj synohet krijimi i vendeve të reja të punës, zhvillimi i industrive mbështetëse dhe forcimi i lidhjes së Kosovës me diasporën dhe tregjet ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, do të investohet në shkollimin, trajnimin dhe certifikimin e specialistëve të aviacionit civil, për të krijuar kapacitete profesionale vendore dhe për të zhvilluar një sektor të qëndrueshëm të aviacionit në Kosovë. Industria e aviacionit kërkon pilotë, kontrollorë ajrorë, inxhinierë, teknikë mirëmbajtjeje, specialistë të sigurisë dhe menaxherë operacionalë, profile të cilat sot në masë të madhe mungojnë në tregun vendor ose varen nga ekspertiza e jashtme.

Për këtë arsye, investimi në kapitalin njerëzor do të jetë po aq i rëndësishëm sa investimi në infrastrukturë dhe partneritete strategjike. Përmes bashkëpunimit me akademi dhe kompani të aviacionit, synohet krijimi i një gjenerate të re profesionistësh që do ta ndërtojnë të ardhmen e aviacionit civil në Kosovë.

Aviacioni civil nuk është vetëm çështje transporti. Ai ndikon drejtpërdrejt në ekonomi, turizëm, investime, tregti dhe lidhjen e shtetit me botën. Çdo linjë e re ajrore rrit qarkullimin ekonomik, krijon vende pune dhe forcon potencialin zhvillimor të vendit.

Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri Kurti e shohin zhvillimin e aviacionit civil si pjesë të vizionit për shtet zhvillimor, që e transformon ekonominë e vendit bashkë me masat e tjera që tashmë i ka ndërmarrë qeveria Kurti.

Të ngjashme