Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e 89-të të Qeverisë, pjesën më të madhe të fjalës së tij ia ka kushtuar kulturës dhe artit.
Ai ka treguar se nga e premtja, Kosova për herë të parë do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare, bienales nomade “Manifesta”.
Sipas tij, Kosova po hyn në hartën botërore për kulturë.
Më pas, ai ka treguar se MKRS-ja ka hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues.
“Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës”.
“Artistët tanë janë punëtorë dhe talentë. Ata me punën e tyre kanë arritur që emri Kosovë të thirret disa herë në skenat e famshme kulturore. Qeveria është këtu për infrastrukturë. Ne do t’i krijojmë kushtet që talentet e reja dhe artistët aktualë të mos brengosen për asgjë tjetër përveçse inspirimit e thellimit në imagjinatën e tyre”, ka vazhduar ai.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 89-të të Qeverisë
Të dashur qytetarë të Republikës,
Mirë se po takohemi në mbledhjen e 89 të Qeverisë.
Dje ishte ditë shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe rrugëtimin e tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Edhe një herë ju uroj Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne i gëzohemi kësaj arritje historike të të dyja vendeve. Ky vendim i Bashkimit Evropian na shton përkushtimin për reforma që transformojnë dhe forcojnë rajonin tonë dhe rrjedhimisht edhe Evropën.
Ndërkaq, nga e premtja, vendi ynë për herë të parë do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare, bienales nomade “Manifesta”.
Mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Manifesta sivjet ka një program 100 ditor, që përfshin 25 lokacione, 55 intervenime artistike dhe 102 pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtarë. Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë sonë, të komunitetit artistik dhe të institucioneve tona për të mirëpritur një numër kaq të madh të artistëve dhe për ta shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor. Përveç aspektit kulturor, padyshim se Manifesta do të jetë edhe mundësi tejet e mirë e promovimit të vendit, vlerave dhe të artit tonë.
Duke marrë shkas këtë ngjarje të rëndësishme kulturore më lejoni që shkurtimisht të ndaj me ju disa prej arritjeve tona kryesore të deritanishme në fushën e Kulturës:
Pra, Kosova po hyn në hartën botërore për kulturë. Artistët tanë janë punëtorë dhe talentë. Ata me punën e tyre kanë arritur që emri Kosovë të thirret disa herë në skenat e famshme kulturore. Qeveria është këtu për infrastrukturë. Ne do t’i krijojmë kushtet që talentet e reja dhe artistët aktualë të mos brengosen për asgjë tjetër përveçse inspirimit e thellimit në imagjinatën e tyre.
Prandaj, edhe ardhja e festivalit “Manifesta” më gëzon shumë dhe kjo arritje jona na bën krenarë të gjithëve.
Ju faleminderit