Kurti kujton Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn: U flijuan për çlirimin dhe lirinë e Kosovës

Prishtinë | 09 Maj 2026 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, në shënim të 28-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

Me këtë rast, Kurti tha se Konushevci dhe Malaj kishin ideal të përbashkët dhe ishin të përkushtuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës.

“Njëri nga Kosova, tjetri nga Shqipëria të pandashëm për çlirim e për bashkim, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, nuk u ndanë asnjëherë nga njëri tjetri, e kishin idealin e njëjtë, e kishin punën e përbashkët dhe ishin të angazhuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për Republikën e pavarur e sovrane, të cilën e gëzojmë sot”, tha Kurti.

Ai vlerësoi veçanërisht rolin e Ilir Konushevcit në organizimin logjistik të luftës çlirimtare, duke e lidhur sakrificën e tij me zhvillimin aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ilir Konushevci si shpirti i logjistikës, i furnizimit, i ngritjes së luftës çlirimtare, punoi shumë kohë para luftës në mënyrë që të mund të luftojmë e të çlirohemi, andaj sot kur e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës, me armatimin e municionin modern e të shumtë që ka, me radhët e saj që sa vijnë e shtohen, ndjejmë se po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi ndaj gjithë dëshmorëve të kombit, ndaj të gjithë martirëve të luftës së fundit e në veçanti ndaj njerëzve si Ilir Konushevci e Dr. Hazir Mala, të cilët aq shumë u angazhuan e kontribuan që të mund të luftojmë e të çlirohemi”, tha ai.

Kurti kujtoi edhe barrën që, sipas tij, Konushevci kishte marrë pas vrasjes së komandantit Zahir Pajaziti.

“Ilir Konushevci pati një barrë të madhe pas vrasjes së komandantit Zahir Pajaziti, sepse në kohën kur ne ishim me humbje të mëdha në radhët tona, ai kishte barrën e dyfishtë, andaj edhe sakrifica e tij, lufta e paepur që bëri duhet të mësohet nga brezat e rinj se si duhet atdheu dhe se si duhet të bëhemi shembull për ata të cilët do të vijnë pas nesh”, deklaroi Kurti.

Ai bëri homazhe për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit shqiptar.

“Lavdi komandantit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malajt, si dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar të të gjitha etapave të përparimit të vendit e të kombit mbarë”, tha Kurti.

Të ngjashme