Kurti: Kushdo që i cenon zgjedhjet në veri do t’i përgjigjemi me ligj, jemi në shërbim të KQZ-së

Prishtinë | 06 Pri 2023 | 12:36 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria është në shërbim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore – duke i paralajmëruar penguesit potencialë të këtyre zgjedhjeve se do të përballen me forcën e ligjit, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se nëpërmjet Ministrisë së Financave janë ndarë mjetet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

”Qeveria e Kosovës në procese zgjedhore është në shërbim të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe ne kësisoj i përgjigjemi kërkesave të tyre. Kësisoj konform obligimeve kemi ndërmarrë veprimet e duhura në mbështetje të KQZ-së, kemi vënë në funksion mekanizmat institucionalë dhe burimet e nevojshme për përgatitjen për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri të vendit”, u shpreh ai.

Fjala e Kryeministrit Kurti në Kuvend gjatë debatit parlamentar për punën dyvjeçare të Qeverisë:

Prishtinë, 6 prill 2023

I nderuar Kryetar i Kuvendit, z.Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë,

Unë ju falënderoj për seancën, të cilën e keni kërkuar. I falënderoj deputetët që e kanë bërë këtë. E dëgjova me shumë vëmendje parafolësin e tash dëshiroj të shtjelloj këtu para jush disa të dhëna sa i përket rezultateve të dy viteve të para të qeverisjes.

Lista me të dhëna statistikore sa i përket ndryshimeve cilësore dhe përmirësimeve në shumë sektorë, është shumë e gjatë. Unë nuk do t’i lexoj të gjitha, sepse secili ministër do të prezantojë arritjet në sektorët e vet. Po ashtu, edhe ministrat do të adresojnë kritikat, vërejtjet varësisht nga fushëveprimtaria e tyre. Ta zëmë, prej asaj se si Ligji, i cili e rrit pagën minimale, tashmë ka kaluar në lexim të parë dhe nuk është në Qeveri, është në Kuvend, e deri te fakti që Trusti kishte humbje kur kishte Bord e paradoksalisht këta tre muaj, që s’pati Bord, pati fitim. Kjo nuk thotë asgjë për parimësinë e çështjes, por për kontradiktën e pyetjes suaj, por të gjitha këto një nga një do t’i trajtojnë ministrat sipas fushëveprimtarisë, që ata kanë.

Unë do të ndalem të puna dhe drejtësia, si dy shtylla të zotimeve tona të 14 shkurtit e si angazhim yni i përditshëm.

Ekonomia është e të gjithëve dhe nëse ajo shkon mirë duhet t’i gëzohemi të gjithë, sepse na prek të gjithëve.

Në vitin e parë të qeverisjes patëm rritje 10.7%  të bruto produktit vendor që është më e larta në historinë e vendit. Ndërsa në vitin 2022 kur i gjithë kontinenti ynë po vuante ekonomikisht si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, rritja ishte rreth 4%, pasi që të hiqet inflacioni. Nëse merret mesatarja e dy viteve ajo është rreth 7%. Mesatarja më e lartë për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë.

Çka do të thotë kjo rritje ekonomike? Një përgjigje do ta gjeni nëse shikoni rritjen e eksporteve. Për vitin 2022 i kemi patur rreth 920 milionë eksporte, këtë vit do të kalojmë mbi 1 miliard. Rritja e eksporteve tregon rritjen e gjallërisë së ekonomisë sonë, rritjen e sektorëve prodhues të mallrave e të shërbimeve.

Raporti eksport-import në vitin 2019 pra vitin para se unë të bëhem kryeministër për herë të parë ishte 1 me 9. Sot është më pak se 1 me 6. Po të vazhdojmë kështu, dhe sigurisht që do të vazhdojmë kështu, me ndihmën e sipërmarrësve e të punëtorëve që angazhohen në sektorët prodhues, raporti eksport-import do të vazhdojë të përmirësohet e deficiti tregtar të zvogëlohet.

Janë dy vite, pra është gjysma e mandatit, dhe kemi ende shumë punë për të bërë, dhe shumë politika të reja për t’i zbatuar, në ndihmë të eksportit dhe të prodhimit vendor. Por situata ka ndryshuar tashmë, për të mirë. Ajo është optimiste. Edhe deficitin buxhetor të vitit 2022 më në fund kemi arritur ta zvogëlojmë në një rekord historik vetëm (-49.1 milionë €), mbi 11 herë më pak se në 2020. E, për dy vite janë dyfishuar investimet e huaja direkte.

Kjo dallohet edhe te buxheti. Buxheti i shtetit është rritur me 760 milionë euro për dy vite, ndërsa ekonomia është rritur me 2.1 miliardë euro. Pra kemi Republikën e Kosovës me qeverisjen tonë me një ekonomi të gjithmbarshme prej 9 miliardë euro.

Në të shkuarën qeverive u duheshin 3 vite për t’ia shtuar vetëm 1 miliard ekonomisë e tash për dy vite i keni më shumë se 2 miliardë – flas për vitet 2016-2019- krahasuar pra me to.

Duke qenë se ekonomia është rritur me një vlerë shumë më të madhe se buxheti, i bie që qeveria, apo buxheti publik, po peshon më lehtë se më parë, në raport me masën e ekonomisë. Edhe kjo është diçka e shëndetshme për sipërmarrjen dhe sektorin privat sepse tregon që në tregun plot energji  që ka vendi ynë, qeveria nuk po pengon duke e rritur barrën, por përkundrazi duke e zvogëluar atë. Të bërit biznes jo vetëm për t’u regjistruar por për t’u funksionalizuar, për të operuar edhe për të përfituar nuk ka qenë ndonjëherë më parë më e leverdishme se sa tani.

Kjo rritje ekonomike ka rezultuar edhe në rritje të punësimit. Për 21 muaj nga marsi i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2022 është rritur punësimi primar nga 325.467 të punësuar në 362.817 të punësuar pra për 21 muaj 37.350 më shumë dhe numri i grave të punësuara është 50.3% të rritjes së gjithmbarshme pra diç më shumë se sa gjysma janë gratë ato të cilat kanë hyrë në vende të reja të punës gjatë këtij 21 muajshi.

Si kurrë më parë janë krijuar programe të reja të mbështetjes sociale dhe të punësimit sikurse shtesat për 34 mijë lehona dhe 340 mijë fëmijë. Pra 34 mijë lehona dhe 340 mijë fëmijë nuk kanë marrë asnjë cent në të kaluarën dhe tash praktikisht ata mbështeten nga shteti dhe në momentin kur kalon ligji edhe në lexim të dytë për pagën minimale, automatikisht do të rriten edhe shtesat për lehonat. “SuperPuna” me 1500 marrëdhënie të reja të punës për të rinjtë nga mosha 18 deri në moshën 25 vjeçare. Pra, 1500 të rinj të kësaj grupmoshe ndërmjet këtyre dy viteve nga 18 vjeç deri në 25 janë punësuar; “Qeveria për Familje” edhe 1500 familje që kanë përfituar ta kenë së paku një anëtar të punësuar. Ka edhe më shumë familje se kaq pa asnjë anëtar të punësuar, po 1500 kanë përfituar tashmë dhe në mesin e tyre janë 603 gra; “Mbështetje për Punësimin e Grave” me 5000 gra të punësuara; “Mbështetja për Personat me Aftësi të Kufizuara” për 239 persona prej tyre rreth 51% gra.

842 milionë euro janë rishpërndarë në këto skema dhe pakot mbështetëse për përballje me inflacion, sikurse edhe mbështetja për 280 mijë pensionistë, 24 mijë familje me asistencë sociale, 66 mijë studentë, 76 mijë zyrtarë publikë e 17 mijë punëtorë në sektorin privat që përfituan rritje të pagës përmes subvencionimit.

Për t’u përballur me krizat e shumëfishta që rezultuan me rritje të çmimit të energjisë kemi subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje; kemi subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje për mbi 9 mijë familje. Njëkohësisht kemi subvencionuar tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend.

Të gjitha këto pra, të nderuar deputetë janë punë. Por, ju e dini që zotimi ynë zgjedhor ka qenë punë por edhe drejtësi. 

Në këtë kuvend kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ajo që nuk arsyetohet është përfitim i padrejtë që duhet të konfiskohet. Tashmë ka marrë rrugë procesi që do të çojë te Vetingu në sistemin e drejtësisë me bartës Kuvendin. Është funksionalizuar Gjykata Komerciale e cila do t’ua lehtësojë punën të gjitha bizneseve dhe sipërmarrjeve që veprojnë në Kosovë.

Është forcuar sundimi i ligjit duke e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Me kontributin e mijëra policëve profesionistë, por edhe me mbështetjen e qytetarëve, ne kemi arritur që në këto dy vite të kemi mbi 850 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Në këto aksione janë arrestuar mbi 3200 veta, dhe prej tyre mbi 300 janë zyrtarë publikë.

Në veri të vendit i kemi mbyllur 16 rrugë ilegale që janë përdorur për trafikim dhe për kontrabandë. Kemi shkatërruar 83 grupe kriminale me pjesëtarë të të gjitha etnive, dhe kemi konfiskuar rreth 2 ton substanca narkotike. Gjatë këtyre dy viteve shkatërruam 14 laboratorë të drogës, 8 prej tyre në veri, si dhe 3 sosh të kriptovalutave, po ashtu në veri. E në veri janë shtuar rreth 40 kilometra rrugë të asfaltuar.

Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë stacion policor me njësite të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Vijës së Gjelbër të kufirit, tani i kemi 7 sosh. Kemi ndërtuar 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës, të cilat i kontribuojnë në radhë të parë mirëqenies dhe sigurisë të banorëve të asaj zone, por edhe luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, edhe kontrollit të territorit brenda shtetit tonë.

I gjithë ky progres është reflektuar në matjet e pavarura të indekseve ndërkombëtare.

Raporti i Bashkimit Evropian për vendin tonë nga tetori i vitit të kaluar konsideronte që për Kosovën asnjë fushë nuk është pa progres, dhe është vlerësuar si raporti më pozitiv për Kosovën deri më tani.

Në Transparency International në luftimin e korrupsionit për vitin 2021-2022, jemi ngritur për 20 vende.

Te Reporterët Pa Kufi/Indeksi i Lirisë së Mediave 2022, për 17 vende;

Te Indeksi i Maturitetit të Teknologjisë të Bankës Botërore jemi ngritur nga grupi C në B për fokusin në qeverisje digjitale.

Radhitemi të parët në Ballkanin Perëndimor për këto tria:

– Te Fondi Monetar Ndërkombëtar për nga rritja e grumbullimit të hyrave për vitet 2020-2022.

– Te Freedom House për nga përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile; të dytët në Evropë pas Sllovenisë, të tretët në botë pas Sllovenisë  e Kolumbisë.

– Te World Justice Project për sundim të ligjit, të dytët në botë për nga përmirësimi në këtë fushë dhe te Instituti V-Dem për nga Demokracia Elektorale.

Pra, Freedom House, World Justice Project, V-Dem dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar jemi të parët në Ballkan.

Këto arritje na bëjnë krenarë të gjithëve sepse për këto punojmë të gjithë së bashku, me qytetarët. Këto arritje përmirësojnë imazhin e shtetit, prandaj edhe të të gjithë neve. Këto, të dashur deputetë, janë vetëm disa nga punët që kemi bërë në dy vitet e shkuara. Natyrisht, unë nuk pata mundësi të përmend gjithçka, por ato do t’i mbulojnë siç thashë ministrat e fushës. Pjesë e sukseseve tona jeni dhe ju. Pra sukseset janë të përbashkëta, ndaj edhe ju falënderoj të gjithë juve dhe secilin prej juve për rolin dhe kontributin në këto dy vitet e qeverisjes, përkatësisht në gjysmën e parë të mandatit tonë.

Të ngjashme