Kurti me video-mesazh tregon se shkon në Paris, “ndoshta” do të takohet me Vuçiqin

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 22:05 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmes një video-mesazhi ka treguar se do të udhëtojë nesër për në Paris, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Ai ka thënë se “ndoshta” do të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë.

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”.

Postimi i plotë:

Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron.

Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria.

Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë.

Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara.

Të ngjashme