Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, u mbajt tribuna “Historiku i Lëvizjes dhe ku jemi pas njëzet vjetësh”, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi rolin vendimtar të katër kategorive shoqërore në suksesin e Vetëvendosjes: rinia, gratë, punëtorët dhe mërgata. Sipas tij, pikërisht këto shtresa e kanë bërë VV-në dhe vetë atë fitimtar, duke e shndërruar këtë subjekt politik në një lëvizje të gjerë.
Ai foli për sfidat e fillimit dhe përkushtimin që e ka udhëhequr këtë lëvizje për dy dekada.
“Sukseset që i kemi sotm, të arritura që i gëzojmë sot, republika, shteti demokratik kanë qenë të paimagjinueshme për atë kohë. Kemi pasur qindra aktivistë të arrestuar, mbi të gjitha i kemi Astritin dhe Arbnorin e para tyre edhe Mon Balën e Arben Gjeladinin që u vranë. Është interesant që Vetëvendosjen e kemi filluar me ëndërr, jo me realitet. Ëndrra është ajo që na ka vënë në lëvizje. Kjo ëndërr pa ëndërrim është ajo që e ka themeluar Vetëvendosjen. Në këtë vazhdë të 20 vjetëve realiteti ka ndryshuar për shkak të ëndrrës. Në Vetëvendosje ëndrrën e kemi konsideruar detyrë”, tha Kurti.
Ai theksoi se demokracia, sipas filozofisë së Vetëvendosjes, nuk ka qenë vetëm vlerë, por detyrë dhe angazhim konkret për transformim shoqëror.
“Demokracia nga pikëpamja jonë nuk ka qenë vetëm princip, nuk ka qenë vetëm vlerë, kur demokraci është palë që mungon, atëherë lëvizja bëhet aksion që krijon hapësirën demokratike. Ndërhyrja jonë më subjektive në sferën politike është një ndër kontributet më të çmuara që është bërë në Kosovën e pasluftës. Jemi përpjekur që të bëjmë punën interesante”, shtoi ai.
Duke reflektuar për gjendjen aktuale, Kurti tha se me qeverisjen e Vetëvenmdosjes, Kosova është më e zhvilluar, më përparimtare dhe më e sigurtë se kurrë më parë.
“Sot jemi në një situatë që kemi shtetin e pavarur, që me qeverisjen tonë edhe republika është fakt. Kur na kanë akuzuar se po krijojmë fakte në terren, ne kemi zbatuar ligjin duke bërë atë legjitim, duke demokratizuar vendin. Shteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë më i zhvilluar, më përparimtar dhe më i sigurt”, përfundoi Kurti.