“Do të mund ta shënonim këtë ditë në secilin qytet apo fshat të Kosovës, sepse trupi i Kosovës i gjithi është i mbushur përplot me shenja të plagëve, të cilat për t´u shëruar kanë nevojë për të vetmin ilaç, drejtësinë. Por, jemi mbledhur këtu në Paklek, sepse ky vend është monument dhe dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë qendrore të shënimit të 22- vjetorit të çlirimit të Kosovës, në fshatin Poklek të Drenasit.
Manifestimi përkujtimor filloi me një minut heshtje në nderim të 54 civilëve shqiptarë të vrarë, anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani,Caraku e Hoxha.
Ky manifesti
m u organizua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përkujtim të viktimave, krahas mirënjohjes për intervenimin e Aleancës Veriatlantike.
Në ceremoni të pranishëm ishin edhe ambasadorë e përfaqësueses diplomatik, ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë të komunave, familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë pjesëmarrës.
Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në manifestimin përkujtimor në Poklek:
Të dashur të mbijetuar të masakrës në Paklek,
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, zotëri Glauk Konjufca,
Shkëlqesi ambasadorë, Kryetar i Komunës Lladrovci,
Shumë të nderuara familje të dëshmorëve dhe martirëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare të Kosovës, qytetarë pjesëmarrës,
Presidenti amerikan, i cili ka qenë komandant ushtarak në Luftën e dytë Botërore, Dwight Eisenhower, thoshte se paqja nuk është thjesht simbol stilistik, por duhet të jetë forcë efektive. “Në përpjekjen tonë për paqe, thoshte ai, ne nuk do të bëjmë kompromise, nuk do të lodhemi, dhe nuk do të ndalemi”.
Sot është 12 qershori, dita e paqes, dita në të cilën kujtojmë çdo vit ardhjen e paqes në Kosovën e çliruar. Paqja në Kosovë erdhi me hyrjen e trupave të NATO-s dhe largimin e pushtuesve serbë më 12 qershor të vitit 1999. Erdhi pas shumë viteve të rezistencës së pashembullt popullore, kundër politikave fillimisht diskriminuese e represive, mandej dhunshme e opresive, e në vitet 1998-1999 edhe gjenocidale, të Serbisë në Kosovë. Erdhi pas luftës çlirimtare e të drejtë të UÇK-së, me synim të realizimit të së drejtës së shqiptarëve për të vendosur vetë për fatin e tyre kolektiv dhe formën e qeverisjes që dëshirojnë.
12 qershori pra shënon fundin e gjenocidit në Kosovë. Ëndrrat për spastrimin e shqiptarëve do të mbeten përgjithnjë në ndërgjegjet e trazuara të kriminelëve, por ato nuk do të kenë më mundësi të aplikohen në terren. Kosova është e lirë, dhe e pavarur. Ne po punojmë që ta bëjmë Kosovën edhe të zhvilluar e sovrane. Kosova është partnere me vendet më të fuqishme demokratike të botës, e ky partneritet, sidomos me NATO-n, ku synojmë të integrohemi, na jep sigurinë për paqen edhe sot, siç na e dha më 12 qershor 1999. Ndërkohë, hapa të rëndësishëm po hedhim për fuqizimin dhe përparimin e ushtrisë sonë, në aftësitë e saj mbrojtëse të cilat janë tepër të rëndësishme për të garantuar që vendi ynë, dhe gjerësisht rajoni, të mos shohë më kurrë përsëritjen e historive të dhimbshme.
Do të mund ta shënonim këtë ditë në secilin qytet apo fshat të Kosovës, sepse trupi i Kosovës i gjithi është i mbushur përplot me shenja të plagëve, të cilat për t´u shëruar kanë nevojë për të vetmin ilaç, drejtësinë. Por, jemi mbledhur këtu në Paklek, sepse ky vend është monument dhe dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Në masakrën e Paklekut, janë vrarë 54 qytetarë të pafajshëm, nga policia e Serbisë, ndërsa 3 të tjerë ende janë të pagjetur. 25 prej të vrarëve kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, pra të mitur. Prej këtyre 18 persona kanë qenë fëmijë, më të vegjël se 12 vjeç. Midis tyre pesë foshnja, prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç.
Civilët shqiptarë, të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha, ishin duke u larguar prej shtëpive të tyre, por policia serbe i urdhëroi të ktheheshin atje, i gjuajti me bomba dore në dhomat ku ata po rrinin, e më pas edhe me breshëri automatikësh. E në fund, edhe i dogji trupat e tyre. Kjo ishte Serbia e Millosheviqit.
Çfarë rreziku mund të përbënte për policinë fashiste e shoviniste serbe Lirie Muqolli, gjashtë muajshe? Asnjë rrezik nëse do të kishim të bënim me një polici e me një shtet të së drejtës. Por Serbia ndaj shqiptarëve kurrë nuk ka qenë shtet i së drejtës. Edhe vajza gjashtëmuajshe shqiptare, e cila përkundej në djep, konsiderohej si armik publik, sepse ajo ishte e ardhmja e një populli i cili nuk duhej të ekzistonte fare, që të përmbushej dëshira perverse e shprehur në togfjalëshin “Kosova është djep i Serbisë”.
Ne jemi mbledhur sot këtu për të denoncuar edhe një herë, se pikërisht miti për Kosovën si djep i Serbisë, ka qenë ai që mbyti dhe dogji, e që sërish kërcënon të mbysë dhe djegë foshnjat shqiptare. Nuk ka vend në shekullin XXI për djepe që mbysin foshnjat, vetëm pse ato nuk i përkasin etnisë së paracaktuar. Kosovën e kemi çliruar, dhe sot e kemi të pavarur, edhe që të mos mund të rrezikohet më asnjë foshnjë, asnjë fëmijë, asnjë civil, nga cilado etni qoftë. Rruga e Kosovës drejt së ardhmes është një rrugë e paqes dhe e zhvillimit. Por paqja nuk është momenti pasiv kur ti rri e nuk bën asgjë. Jo, paqja kërkon angazhim e energji edhe më të mëdha se lufta, që të mos i lërë më vend kurrë luftës. Paqja, thotë filozofja Judith Butler, është rezistencë kundër satisfaksioneve të tmerrshme të luftës.
Masakra e Paklekut është një dëshmi e fortë, për të cilën duhet të dëgjojë i gjithë njerëzimi. Siç ka thënë shkrimtari nobelist dhe i mbijetuari i holokaustit, Elie Wiesel, “Është detyrë e të mbijetuarve që të japin dëshmi mbi atë çka ka ndodhur, sepse duhet që njerëzve t´u përkujtohet se këto gjëra mund të ndodhin sërish, se e keqja mund të përsëritet, e se urrejtja racore dhe adhurimi i dhunës ende jetojnë”.
Ne, populli i Kosovës, jemi të gjithë, në një mënyrë apo një tjetër, të mbijetuarit e një fushate vrastare shtetërore, prandaj duhet të dëshmojmë para gjithë botës. Serbia sot ende vazhdon të qeveriset nga personat të cilët kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar dhe janë zbatuar prej policisë e ushtrisë serbe. Sigurisht, ata sot nuk munden më të vijnë, të na pushtojnë dhe të na vrasin civilët e fëmijët, mirëpo ëndrrat e tyre, jo vetëm që nuk i mohojnë, por vazhdojnë t´i proklamojnë publikisht, nën mitin e Kosovës si djep i Serbisë, por edhe me investimet e vazhdueshme e të shfrenuara për armatim modern, duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë , Kinës e vendeve të tjera. Për çka armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka pranuar dhe nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vjet më parë?
Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, e të miturve, e foshnjave, e grave shtatzëna, e pleqve, përdhunimi i përdorur si armë lufte, të gjitha këto janë dokumentuar e po dokumentohen, dhe ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi. Drejtësia nuk është hakmarrje, drejtësia është mënyra më njerëzore për të reaguar ndaj dhimbjeve të mëdha dhe për të vazhduar jetën. Sepse vetëm drejtësia është themel i qëndrueshëm për paqen, e sepse të bësh paqe me padrejtësinë, apo në padrejtësi, do të thotë t´i japësh të drejtë dhunës.
U prehshin në paqe viktimat, në paqen e drejtë, që ua kemi borxh atyre e do ta ndërtojmë së bashku.