Kurti: Në takimin e 27 qershorit do të servohen marrëveshje, ky takim i përshtatet kërkesave të Serbisë

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se më shumë si rifillim i dialogut, takimi i datës 27 qershor nga krerët e shtetit të Kosovës dhe Serbisë, po duket si një takim njëditor ku servohen marrëveshjet.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë.

“Rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje. Data 27 qershor e takimit është aty sepse vjen pas datës 21 qershor kur mbahen zgjedhjet në Serbi dhe datës 24 qershor kur Vuçiq shkon në Moskë për t’u takuar me Putinin”, shkruan Kurti.

Ish-kryeministri i Kosovës shkruan se u formua një qeveri e varur nga deputetët e Listës Serbe vetëm për të qenë Serbia e kënaqur.

“Në anën tjetër, që Serbia të jetë e kënaqur, u sajua një qeveri koti në Kosovë e cila varet nga secili deputet i Listës Serbe, që hoqi reciprocitetin me Serbinë dhe ju zotua emisarit Grenell që nuk do të kërkojë anëtarësim për Kosovën në organizatat ndërkombëtare. (Kjo e fundit është heqje dorë nga neni 17, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.) Në fakt, më parë se dialog si proces, kjo duket si takim njëditor ku servohen marrëveshjet”, shkruan Kurti.

Kurti thotë se qasja e tillë sjell marrëveshje të dëmshme, ndërsa u shpreh se marrëveshja e tillë që ndër të tjera është edhe e pazbatueshme gjen mbështetje vetëm te politikanët si presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti.

“Qasja e këtillë asimetrike që ka për pikënisje pabarazinë e normuar midis Kosovës e Serbisë, sjell veçse marrëveshje të dëmshme, rrjedhimisht të papranueshme e të pazbatueshme. Andaj kjo gjen mbështetje vetëm te politikanë e zyrtarë që nuk përfaqësojnë popullin, sikurse Thaçi e Hoti”, shkruan Kurti.

Rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje. Data 27 qershor e…

Gepostet von Albin Kurti am Dienstag, 16. Juni 2020

Të ngjashme