Me rastin e 111-vjetorit të lindjes të Nënës Terezë dhe në prag të 5-vjetorit të shenjtërimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi lule pranë shtatores së saj që edhe e mban emrin e saj.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, në fjalën e tij tha se Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që sipas Kurtit dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.
“Sot përkulemi pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”, tha Kurti në fjalimin e tij, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se Shënë Tereza ishte një nga nënat shqiptare e cila me mirësi e bujari, duke sakrifikuar edhe vetën u ndihmoi atyre që kishin nevojë.
“Ajo frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz, dhe ua ktheu dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar”, tha Kurti.