Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për dy vendime që lidhen me zhvillimin industrial në Gjilan dhe Gjakovë, duke i cilësuar ato si hapa të rëndësishëm në funksion të realizimit të zotimeve qeveritare.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se bëhet fjalë për krijimin e një Parku Industrial në Gjakovë dhe shpalljen e një Parku Industrial në Gjilan.
“Gj-Gj: Për Gjilanin e Gjakovën, dy vendime të rëndësishme drejt jetësimit të dy prej zotimeve tona për t’i dhënë hov zhvillimit industrial në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai bëri të ditur se në Gjakovë është vendosur nxjerrja nga administrimi i AKP-së dhe transferimi te Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i ish-ndërmarrjeve “Metaliku” dhe “Virxhinia”.
“– Nxjerrja nga administrimi i AKP-së dhe transferimi te MINTI i ish-ndërmarrjeve ‘Metaliku’ dhe ‘Virxhinia’, për krijimin e Parkut Industrial në Gjakovë”, thuhet në postim.
Ndërkaq, për Gjilanin, Kurti njoftoi se është shpallur Parku Industrial në zonën e Livoqit të Epërm, me sipërfaqe prej afro 200 hektarësh.
“– Shpallja e Parkut Industrial në Komunën e Gjilanit, me afro 200 hektarë në Livoq të Epërm, të gatshme për investime dhe zhvillim industrial”, ka shkruar ai.