Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi edhe zyrtarisht se “U votua me 10 vota për dhe 2 abstenime Vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.
“Sonte, nga ora 24:00 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, 1, 31, 3, 4, 5 dhe 6, për importimin e lëndës së parë”, njofton Kurti.
Kurse, sipas kryeministrit Kurti, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerr një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.
Por, në fakt kufijtë aktualisht janë të mbyllur për shkak të situatës me pandeminë e Coronavirusit.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar sot një mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti, duke mbledhur 46 nënshkrime. Tashmë partitë opozitare kanë paralajmëruar se do ta mbështesin mocionin dhe ai pritet të votohet në fillim të javës në Parlament.
Vonesa për heqjen e taksës, pa kushte sikur po e kërkon ShBA-ja, ka qenë argumenti kryesor i LDK-së pse po kërkon rrëzimin e Qeverisë.