Kurti: Nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikë, por për t’u mbrojtur nga dikush

Prishtinë | 30 Qer 2023 | 10:48 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në diplomimin e kadetëve të rinj të FSK-së, ku tha se diplomimi i sotëm, vendit i jep shpresë për të ardhmen e krenari për të kaluarën, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se nga shkollimi në flakë të luftës, nëpër fazat e shtet-ndërtimit, Ushtria e Kosovës po vazhdon të zhvillohet e modernizohet.

Të diplomuarve ai u tha se tash e kanë mbi supe ruajtjen e qytetarëve dhe sovranitetin, madje u shpreh se “ne nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikë, por për t’u mbrojtur nga dikush”.

Kurti përmendi edhe shtimin e buxhetit për ushtrinë, një rritje prej 82 për qind. Investimet për armatim tha se gati i kanë trefishuar.

“Diplomimi i sotëm nga Qendra për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës na jep shpresë për të ardhmen dhe na bënë krenar për të kaluarën. Na kthen në kohën 1999, ku nga shkollimi në fazë të luftës, ushtria jonë vazhdon të zhvillohet. Teksa po e shënojmë këtë gjeneratë, QSU e FSK ka krijuar imazhin dhe që nxjerr ushtarë të shkëlqyer që shërbejnë së bashku me ushtritë partnere”.

“Kemi lidhur bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Letoninë. Nga sot përveç gradën e oficerit, ju do ta keni mbi supe ruajtjen e qytetarëve dhe sovranitetin. Duke pranuar titullin e oficerit që u ndërtua mbi supet e UÇK-së. FSK e keni bërë të hapur për çdo të ri dhe të re dhe keni larguar numrin e kufizuar. Në proces të rekrutimit janë edhe 600 ushtar të rinj”, tha Kurti.

“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikën por për t’u mbrojtur nga dikush”, tha Kurti, teksa falënderoi familjarët për siç tha shkollimin në frymën e atdhedashurisë.

Komandanti i Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Albion Ajvazi, tha se kjo është gjenerata e 15-të e oficerëve të diplomuar, për çka u kërkoi që të punojnë me integrimet e besim, raporton EO.

“Sot është padyshim datë e jashtëzakonshme për Forcën e Sigurisë së Kosovë, kur po e diplomojmë gjeneratën e 15-të të oficerëve të FSK-së. Klasa 2023 përgjatë 4 viteve jeni rritur duke shfaqur vetëbesim”.

“Veprimet dhe vendimet që do të merrni, padyshim se do të jetë rol kyç në mbrojtje të integritetit dhe qytetarëve të vendit. Mbajeni në mendje besimin dhe përgjegjësinë që u është dhënë. Udhëhiqni me integritet dhe besim dhe padyshim se do të keni sukses për ata që do t’u rrethojnë”, tha ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar ministër i Mbrojtës së Republikës së Kosovës, z.Armend Mehaj,

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar e deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar zëvendësministra të Mbrojtjes, z.Shemsi Syla dhe z.Adnan Rexheplar,

Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

I nderuari Gjeneral Hammerstein,

I nderuar Shef i stafit në KFOR, Bozicevic,

Të nderuar atashe ushtarakë dhe të mbrojtjes të shteteve mike dhe partnere,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtarë,

Të nderuar partnerë të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Të dashur kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Diplomimi i sotëm nga Qendra për Studime Universitare e Akademisë së Mbrojtjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës na jep shpresë për të ardhmen dhe na bën krenar për të kaluarën. Na kthen prapa në kohë, në vitin 2009, te gjenerata e parë e diplomuar e FSK-së në këtë Qendër, por na kthen prapa edhe në vitin 1999, te gjenerata e parë e diplomuar e eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga shkolla ushtarake “Hamëz Jashari”.

Nga shkollimi në flakë të luftës, nëpër fazat e shtetndërtimit, ushtria jonë vazhdon të zhvillohet e të modernizohet. Duke kaluar nëpër etapa tranzicioni, nuk kemi reshtur së ndërtuari sistem të qëndrueshëm të edukimit ushtarak, një hallkë kjo e rëndësishme e zhvillimit të Forcës sonë. Burimet njerëzore janë boshti kurrizor i çdo ushtrie, e personeli i trajnuar dhe edukuar është bazë për zhvillimin dhe ndërtimin profesional të sistemit të mbrojtjes.

Teksa po e shënojmë diplomimin e gjeneratës së 15-të të kadetëve, Qendra për Studime Universitare e FSK-së, tashmë ka ndërtuar imazhin e një institucioni të edukimit ushtarak që nxjerrë oficerë që shkëlqejnë në edukimin pasues ushtarak, në shkolla e kolegje të njohura të shteteve partnere e mike. Bashkë me gjeneratat, po shtohen edhe mundësitë për avancim të mëtejmë. Gjatë dy viteve të para të qeverisjes sonë, 3325 ushtarakë janë trajnuar jashtë vendit. Mbi 8 herë më shumë sesa në vitet 2019 e 2020, kur ishin vetëm 381. Kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, me Shqipërinë, me Letoninë, me Malin e Zi, me Maqedoninë e Veriut dhe me Kroacinë. Janë në proces marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, me Turqinë, me Jordaninë dhe me Kroacinë.

Të dashur kadetë,

Nga sot jeni të gatshëm që përveç gradës së oficerit, mbi supet tuaja të bartni edhe përgjegjësitë që u janë besuar, për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe mbështetjen e paqes dhe të sigurisë në rajon dhe botë.

Mundi dhe përpjekjet katër vjeçare sot po ju shpaguhen, duke pranuar titullin e oficerëve të Republikës dhe të Forcës që u ndërtua mbi themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të kësaj Force që në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s, aleancës që mbështeti politikisht dhe ushtarakisht çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.

Çdo gjeneratë e re dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.

Forcën e Sigurisë së Kosovës e kemi bërë të hapur për çdo të re dhe të ri të deri në moshën 25 vjeçare dhe kemi larguar kufizimin në numër të FSK-së. Kësisoj, për dy vite janë rekrutuar 1240 ushtarë të rinj. Në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë të rinj dhe 388 rezervë. Me 2240 ushtarë më shumë brenda dy viteve, radhët e forcës sonë janë shtuar për 83%.

Ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten. Për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë e më të barabartë për të gjithë.

Të dashur familjarë të kadetëve,

Ju faleminderit që bijtë e bijat tuaja i keni rritur në frymën e atdhedashurisë. Pa mbështetjen tuaj, suksesi i fëmijëve tuaj, e i kadetëve tonë pra, nuk do të ishte i mundur. Atyre do t’u nevojitet edhe më tej përkrahja juaj. Unë jam i bindur që ajo nuk do të ju mungoj. E të përhershme do ta kenë edhe përkrahjen e Qeverisë së Republikës dhe institucioneve të shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional.

Në fillim të mandatit e kemi dyfishuar buxhetin për ushtrinë, krahasuar me vitin 2020. Me rritjen e vazhdueshme çdo vit, buxheti për këtë vit është 141.2 milionë euro. Një rritje kjo prej 38.23% në raport me vitin 2022. Krahasuar me ato të dy viteve të mëparshme të Qeverisë së kaluar, investimet në armatime i kemi rritur për 191% apo gati trefishim.

Përderisa shtojmë aftësitë, buxhetin dhe pajisjet, Forca e Sigurisë së Kosovës është realiteti ynë dhe jetësimi i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri.

I nderuari Gjenerallejtënant Jashari, të nderuar oficerë dhe nënoficerë të Qendrës për Studime Universitare dhe Komandës së Trajnimit e Doktrinës,

U përgëzoj për diplomimin e kësaj gjenerate. U jemi mirënjohës për avancimin e programit të edukimit ushtarak, në përputhje me zhvillimet e reja në fushën e mbrojtjes.

Të dashur kadetë,

Ua uroj diplomimin, i bindur thellësisht që njohuritë dhe dija që keni përfituar nga shkollimi do të vendosen në shërbim të mbrojtjes së vendit tonë, dhe se do t’i shërbeni Republikës me nder e me krenari.

Urime e ju priftë e mbara!

Të ngjashme