Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati druan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka guxim që t’i hyjë procesit të ndryshimit të kufijve.
“Kryeministri e ka legjitimitetin e plotë për t’i hyrë ideve shumë të guximshme. Unë frikësohem se nuk e ka guximin ta bëjë këtë. E ka atë legjitimet që të propozojë të futet edhe në procese, por ai e ka refuzuar ri përcaktimin e kufijve, asociacionin”, tha Murati.
Ai shtoi se ideja e VV për bashkim me Shqipërinë është populiste kur nuk e tregojnë se si do të bëhet.
“Çdo ide është populiste kur nuk e tregon rrugën. Ajo do të vije pasi t’i zgjidhë proceset me Serbinë”, shtoi ai.
Ai po ashtu ka thënë se ideja e ri përcaktimit të kufijve është e fuqive të mëdha dhe se Sllovenia vetëm është përdorur nga ta për ta matur opinionin.
“Në radhë të parë unë i kam parë këto si produkt i përpjekjeve për të testuar zgjidhje të tjera, në raport me zgjidhjet ekzistuese në Ballkan duke qenë që pak a shumë zgjidhjet të cilat tash e disa dekada janë promovuar në Ballkanin Perëndimor nuk është se e kanë sjellë paqen. E kanë sjellë një stabilitet të brishtë, por për shkak të zgjidhjeve ta themi jo funksional e kanë bllokuar ecjen e Ballkanit perëndimor drejt BE, sidomos situate në BeH që burojnë prej marrëveshjes së Dejtonit që janë të ingranuara në kushtetutën e tyre e deri tek zgjidhjet për Kosovën e sidomos raporti Kosovë – Serbi.
Peng i këtij raporti të dy vendet kanë probleme në aspektin e integrimit. Nuk mendoj që kjo është e paqëllimshme. Nuk mendoj që është produkt i politikës sllovene. Kjo është një mënyrë që është shfrytëzuar Sllovenia që të testohet opinioni”, tha ai në Kanal 10.