Kurti nuk shkon në Forumin e Paqes në Paris, Osmani përballë Vuçiqit atje

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e Kosovës e Serbisë, Presidentja Vjosa Osmani dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të jenë pjesë e Forumit të Paqes në Paris që do të mbahet më 11 dhe 12 nëntor. Vuçiq e ka konfirmuar se do të udhëtojë drejt Parisit, duke paralajmëruar edhe takime me Përfaqësuesin e Lartë Josep Borell, Presidentin Macron dhe ndërmjetësin Lajcak, ndërsa prania e Presidentes Osmani atje është kuptuar nëpërmjet programit të organizatorëve.

 Dy udhëheqësit e Kosovës e Serbisë, do të ndodhen për herë të parë bashkë në një event ndërkombëtar, pas tensioneve në Veri të Kosovës ku serbët lëshuan institucionet, si revoltë ndaj vendimit të qeverisë për targat.

Parisi dhe Forumi i Paqes do të shërbejë edhe si pasqyrë ku do të shihet se sa kanë eskaluar edhe raportet mes liderëve t dy shteteve, për shkak të gjendjes në terren. Nuk dihet nëse vendi nikoqir, Franca dhe Presidenti Macron do të provojnë të ndërmjetësojnë një takim Osmani -Vuçiq e as Borell që do të jetë aty.

Sidoqoftë, Kryeministri Kurti i cili këto ditë po përballet me thirrje që ta shtyjë afatin për targat ilegale nuk do të udhëtojë në Paris. Ai javën që shkoi, në Berlin, ka nënshkruar marrëveshje për lirinë e lëvizjes me Kryeministren serbe Ana Bërnabiq dhe liderë tjerë ballkanikë. Ditë më parë, Presidentja Osmani ka dhënë indikacione se ajo do të jetë nënshkruesja e marrëveshjes Kosovë -Serbi

Forumi i Paqes në Paris e krijuar në mars të vitit 2018, çdo vit mbledh liderët botërorë e krerët e organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të diskutuar për një mori çështjesh dhe tenton të gjejë forma të veprimit kolektiv.

 Presidenti serb Aleksandar Vuçiq  sot u tha gazetarëve se dy ditët e ardhshme do t’i kalojë në Paris, ku do të takohet me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borell, të dërguarin special Miroslav Lajcak dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

“Do të shohim se cilat do të jenë rezultatet”, tha ai dhe shtoi se gjithçka tregon se si Kosova i ka planifikuar veprimet e saj. “Tani është plotësisht e ekspozuar dhe e qartë për të gjithë se ajo që ka ekzistuar nga institucionet ka ekzistuar falë faktit që ne e respektojmë fjalën dhe nënshkrimin tonë”, tha ai.

Ai përmendi se më herët kishte anuluar vizitat e tij diplomatike, por se do të vazhdonte të shkonte në Paris sepse ishin në rrezik qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

“Të gjithë ne në Serbi e respektuam atë nënshkrim dhe bëmë gjithçka që duhej të bënim, tani është koha për të mishëruar këto marrëveshje”, tha ai.

Të ngjashme