Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, përmes një publikimi në Facebook, ka shkruar për zgjedhjet e para në partit shqiptare që do të mbahen më 3 mars, në Malësin e Madhe, shkruan EkonomiaOnline.
“Në zgjedhjet për komunën e Tuzit, më 3 mars, votuesit e Malësisë së Madhe do të vendosin për të ardhmen e vendit dhe familjeve të tyre për katër vitet e ardhshme. Është hera e parë që partitë shqiptare dalin me listë të përbashkët për të artikuluar interesat politike të shqiptarëve, dhe për t’ia kthyer Malësisë së Madhe dhe Tuzit dinjitetin politik të munguar dekada me radhë. Votuesi malësor do të dijë të shpalojë vullnetin e vet ditën e zgjedhjeve, duke votuar nr. 5 dhe bashkimin e partive shqiptare, përkundër ideologjive të hegjemonisë malaziase, e cila qytetarëve të Malësisë ua ka nëpërkëmbur dinjitetin duke i burgosur, duke u bërë presion asimilues, duke ua marrë të drejtën në flamur kombëtar. Kjo është mënyra që Komuna e Tuzit të udhëhiqet ashtu sikurse duhet, të udhëhiqet shqip”.
Kurti tutje ka thënë se, në këto zgjedhje pas fitores do të fillojnë sfida të vërteta, ndërkaq ka shtuar se do të hidhen hapa të rëndësishëm drejt emancipimit politik shqiptarë.
“Për Forumin shqiptar pas fitores së 3 marsit do të fillojnë sfidat e vërteta, që nuk do të jenë aspak të lehta, por, me urtinë malësore si princip politik, besoj se do të dinë së pari ta ruajnë këtë koalicion shqiptar, si dhe të formojnë mekanizma për të realizuar programin e tyre për mandatin katërvjeçar. Duke vendosur baza të shëndosha vendimmarrjeje në udhëheqjen e Malësisë dhe komunës së Tuzit, do të hidhen hapa të rëndësishëm drejt emancipimit politik shqiptare”
Ndërsa fare në fund Kurti ka ftuar qytetarët e Malësis së Tuzit të dali në votime.
“Dilni dhe votoni me mendje e zemër, sepse e ardhmja shqiptare e Malësisë dhe e Tuzit është në duart tuaja.”