“Ne nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur. Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë, prandaj na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore, dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje, ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin konsultativ me temën “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën (post) Covid-19”.
Mungesa në drejtësi dhe barazi, i nxit normat sfiduese dominante e patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës, e bën më të ashpër e të dukshme këtë. Kjo ngulfatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë. Përbrendësimi i kësaj situate kërkon jo heshtje, por veprim, jo fshehje të së vërtetës, por ndërhyrje në thelbin dhe rrënjën e gjërave, tha kryeministri
Kryeministri falënderoi të gjithë që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe vajzat, kudo dhe kurdo që ato kanë nevojë për ndihmë.
“Jeta e dinjitetshme dhe e drejta për ta gëzuar atë, janë të drejta të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëri nuk mund ta mohojë këtë gjë. Çdo tentativë e mohimit të saj, është jo veç se e ndaluar por edhe e dënueshme”, tha ai, duke theksuar se detyra e shoqërisë e veçanërisht Qeverisë është që të garantojnë një ambient të sigurtë e të jetueshëm, pa drojë e pa frikë.
Organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, në takimin konsultativ u bisedua për koordinimin ndër-sektorialë në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë, gjatë dhe pas pandemise Covid-19.
Në këtë takimin konsultativ të nivelit të lartë, morën pjesë edhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu , Zëvendësministrja e Drejtësisë, njëherit Koordinatore Nacionale kundër dhunës në familje Nita Shala, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit Edi Gusia, dhe përfaqësues të intitucioneve, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin konsultativ:
E nderuar znj. Gusia, Kryeshefe Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore në Kryeministri,
E nderuar znj. Demolli, Drejtore Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore,
E nderuara zëvendëskryeministre e qeverisë tonë, znj. Emilja Redzepi,
Të nderuara ministre dhe zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë, znj. Haxhiu dhe znj. Shala,
E nderuara znj. Nushi, Udhëheqëse e UN Women në Kosovë,
E nderuara znj. Rogova, Drejtore Ekzekutive në Rrjetin e Grave të Kosovës,
E nderuara znj. Jeta Tela-Shema nga ministria e Punëve të Brendshme,
I nderuari z. Ehat Miftaraj,
I nderuari shef i EULEX-it, z. Wigemark
Të nderuara zonja dhe disa zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kam kënaqësi të ju drejtohem sot para jush për këtë temë kaq të rëndësishme, po aq edhe shqetësuese. Konsideroj që të gjithë jemi të vetëdijshëm që numër i lartë i grave dhe vajzave në komunitetin tonë vuajnë si rezultat i dhunës fizike, seksuale, psikike apo ekonomike.
Pabarazitë që janë sot në Kosovë janë të thella, e për shumë vite ka pasur orientim të gabuar për trajtimin e këtyre pabarazive. Përderisa në trajektore shihet shumë më pak i varfëri e më tepër elita përfituese, e edhe më pak kur ajo është një grua, pra grua e varfër, një e re në moshë, ose pjesë e një komuniteti të caktuar, atëherë esenca është në domosdoshmërinë e ndërhyrjes politike dhe ekonomike. Pra, për institucionet e drejtësisë që sjellin drejtësi, dhe barazi që sjell më shumë mirëqenie.
Mungesa në drejtësi dhe barazi, i nxit normat sfiduese dominante e patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës, e bën më të ashpër e të dukshme këtë. Kjo ngulfatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë. Përbrendësimi i kësaj situate kërkon jo heshtje, por veprim, jo fshehje të së vërtetës, por ndërhyrje në thelbin dhe rrënjën e gjërave.
Ndër vite dhuna ndaj grave dhe vajzave, dhe vrasjet e grave apo femicidi specifikisht kanë qenë në nivel shumë shqetësues. Neglizhenca e institucioneve për të ofruar urdhër-mbrojtje ka dërguar deri te vrasja e Diana Kastratit në vitin 2011. Në një formë ose në një tjetër institucionet kanë dështuar që të ofrojnë siguri e drejtësi për shumë gra të vrara, ndër to po i përmend disa, si Dafina Zhubin, Antigona Morinën, Valbona Marku, Donjeta Pajazitaj, Zejnepe Berishën, e para më pak se dy muajve e kishim edhe rastin e 18 vjeçares nga Ferizaji, Marigona Osmani.
Fatkeqësisht këto janë vetëm disa prej emrave historitë e të cilave i kemi dëgjuar të gjithë. Dhe ky është problem i madh konsideroj unë. Që shpresa për trajtimin e një rasti të varet nga vëmendja mediale që ai rast merr. Edhe sa raste të tjera ka që qytetarët nuk i dijnë, por ndodhin përditë?
E pikërisht për këtë arsye, kjo Qeveri e ka bërë prioritet trajtimin e dhunës ndaj grave.
Ne e dimë që vetëm përmes një ligji apo nisme të veçantë është e vështirë çrrënjosja e dhunës, prandaj konsiderojmë që një qasje gjithëpërfshirëse shumëdimensionale është thelbësore për ta zbehur këtë fenomen drejt eliminimit. Ndërmarrja e nismave të mirë-koordinuara më jep besim se do të kemi sukses institucionalisht drejt parandalimit të dhunës dhe kujdesit ndaj viktimave.
Si qeveri kemi parashtruar një vizion ambicioz për të parandaluar dhe adresuar dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave në të gjitha format që ajo i merr. Po angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat e masat që kërkohen nga ne dhe do të marrim përsipër obligimet që parasheh Konventa e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Ky vizion mbështetet në një synim të thjeshtë: që asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës dhe se çdo vajzë duhet të rritet duke e ditur se është e sigurt.
Për ta realizuar një vizion të tillë po punohet momentalisht në tre fronte, rrjedhimisht në kornizën legjislative, në Zyrën e Koordinatores Kombëtare kundër dhunës në familje dhe në Strategjinë Kombëtare kundër dhunës në familje.
1) Korniza legjislative, një nismë me ndikim pozitiv janë sigurisht ndryshimet në Ligjin për Ndihmë Juridike Falas. Tashmë, secila grua viktimë e dhunës në familje e ka mundësinë që si kategori e veçantë të përfitojë ndihmë juridike falas, pa iu dashur të dëshmojë pamundësinë financiare apo mungesën e pasurisë. Nisma për ndryshimin e Ligjit për Kompensim të Viktimave të Krimit, do t’i lehtësojë procedurat për aplikim dhe do t’u garantojë kompensim të menjëhershëm viktimave të dhunës në familje si dhe kategorive tjera të viktimave të ndjeshme.
2) Punë e vlefshme po bëhet edhe përmes Zyrës së Koordinatores Kombëtare kundër dhunës në familje dhe mekanizmit të Grupit Koordinues Ndër-Ministror kundër dhunës në familje. Takimet koordinuese të zhvilluara përgjatë këtyre 6 muajve kanë për qëllim ndërmarrje të hapave konkretë kundër dhunës në familje, drejt përmirësimit të jetesës së shumë grave e vajzave të mbijetuara nga dhuna.
3) Së fundmi, duhet ta përmend Strategjinë Kombëtare kundër dhunës në Familje dhe Planin e saj të Veprimit 2022-2026. Strategjia do të ketë synim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e dhunës, harmonizimin e politikave publike me standardet ndërkombëtare, fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional për mbrojtje dhe trajtim të viktimave, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e qëndrueshëm të të mbijetuarve të dhunës.
Duhet ta kemi të qartë që tema për të cilën po flasim sot është tejet e ndjeshme, dhe e vetmja mënyrë e suksesit është përmes bashkëpunimit ndërinstitucional. Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimit duhet t’i luftojmë bashkë. Ne nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur, dhe na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore, dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje, ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm.
Me këtë rast më lejoni të theksoj disa elemente që i konsideroj të rëndësishme, jo vetëm për Qeverinë dhe institucionet, por edhe për shoqërinë e kulturën tonë.
E para, është që duhet si institucione të shtetit dhe si shoqëri civile të bashkëpunojmë për krijimin dhe mirëmbajtjen e vatrave të solidaritetit gjinor. Gratë duhet t’i ndihmojnë gratë dhe këtu duhet të investojmë. Duhet të kemi programe, duhet të kemi kurrikula të cilët ndihmojnë solidaritetin gjinor.
E dyta, është emancipimi shoqëror, me theks te emancipimi i burrave. Sepse, shpesh herë kur themi emancipimi mendojmë t’i emancipojmë gratë. Po, vetëm emancipimi i grave nënkupton qe besa t’ju flasim pak më shumë burrave se çka është barazia, e pse po ngjanë e nuk duhet të ngjajë diskriminimi. Pra, emancipim shoqëror që në spikamë ka vetëdijesimin dhe edukimin e burrave.
E treta, është jo vetëm thjeshtë përfshirje, inkuadrim i grave, por pjesëmarrje. Sepse përfshirja, inkuadrimi nënkupton kontributin e grave, a pjesëmarrja nënkupton edhe fitimin që kanë gratë. Ti merr pjesë aty, e merr një pjesë, jo vetëm inkuadrim, jo vetëm përfshirje, a janë të përfshira edhe gratë, sepse ajo rrezikon vetëm ta formalizojë shfrytëzimin, përfshirja. Gratë janë të përfshira edhe ashtu se japin kontribut, por duhet edhe të fitojnë. Pra pjesëmarrje dhe pjesëmarrje në vendimmarrje, ku t’i merr një pjesë.
E katërta, do të ishte një trajtim më i thellë i pasojave të luftës. Unë besoj që shumë padrejtësi, diskriminime, shfrytëzime, shtypje, ndrydhje që ndodhin në shoqërinë tonë janë edhe pasojë e pasojave të patrajtuara të luftës së fundit. Kemi shumë gjëra nën qilim ne, e të cilat shprehen në forma të ndryshme në shoqërinë tonë.
E pesta, duhet një vetëdijesim i përgjithshëm se pikërisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë. Se ka një lloj paragjykimi të thjeshtë, por shumë të rëndë, se vetëm ata që janë të njëjtë mund të jenë të barabartë. E te diversiteti, te fakti që kemi diferencat, dallimet, njerëzit janë të ndryshëm, në aq shumë aspekt njerëzit janë të ndryshëm, por pavarësisht se janë të ndryshëm mund dhe duhet të jenë të barabartë. Pra, duke qenë të ndryshëm duhet të jemi të barabartë, e jo vetëm ta kuptojmë barazinë si identitet, aty ku gjërat janë identike me njëra– tjetrën të njëjta, aty mund të jenë të barabartë. Po ato janë vetvetiu të barabartë. Si shoqëri njerëzore duhet të krijojmë barazi aty ku ka gjëra të ndryshme jo aty ku janë identike.
Dhe e gjashta, e fundit, është raporti midis diskriminimit dhe përjashtimit. Në një mekanizëm, institucion, organ, entitet, sistem, strukturë të caktuar ka pabarazi të brendshme, por ka nganjëherë edhe përjashtim, margjinalizim total, kur nuk e ke as luksin të jesh i diskriminuar sepse nuk je fare aty, je komplet i ose e përjashtuar. Dhe paradoksalisht kur kalon nga përjashtimi te diskriminimi është një progres teknikisht se hyre brenda. E këtë duhet ta luftojmë që të mos e bëjmë zëvendësimin e përjashtimit me diskriminim. Pra, përjashtimi absolut të mos zëvendësohet me pabarazi aty ku porsa u pranove kur mori fund përjashtimi.
Për fund, dua t’i falënderoj të gjithë ata që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe vajzat, kudo dhe kurdo që ato kanë nevojë për ndihmë. Jeta e dinjitetshme dhe e drejta për ta gëzuar atë, janë të drejta të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëri nuk mund ta mohojë këtë gjë. Çdo tentativë e mohimit të saj, është jo veç se e ndaluar por edhe e dënueshme. Detyra jonë si shoqëri e veçanërisht për ne si Qeveri është që të garantojmë një ambient të sigurt e të jetueshëm, pa drojë e pa frikë.
Ju faleminderit për ftesën dhe për gjithë punën që keni bërë e do ta bëjmë së bashku.