Kurti paralajmëron renovimin e stadiumit të KF Dardanës në Kamenicë

Prishtinë | 31 Maj 2026 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se së shpejti do të nisë realizimi i projektit për renovimin e plotë të stadiumit të klubit të futbollit KF Dardana, pas konfirmimit të ekipit si kampion dhe ngjitjes në Ligën e Dytë.

Sipas Kurtit, lajmi për investimin në stadium iu kumtua klubit së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, duke e cilësuar atë si një arsye shtesë për festë pas suksesit sportiv të skuadrës.

Ai bëri të ditur se projekti për renovimin e stadiumit tashmë është përfunduar nga komuna, ndërsa punimet pritet të nisin së shpejti. Sipas tij, stadiumi i ri do të jetë modern dhe cilësor, me kapacitet prej 2.500 ulësesh, duke u veçuar si stadiumi i parë në Kosovë që do të ndërtohet me konstruksion prej druri.

Kurti theksoi se investimet në infrastrukturën sportive nuk do të kufizohen vetëm në stadiumin e KF Dardanës. Ai njoftoi se në Komunën e Kamenicës po vazhdon ndërtimi i stadiumit të atletikës në Novosellë dhe stadiumit të futbollit në Hogosht.

Sipas kryeministrit në detyrë, zgjerimi i hapësirave sportive në mbarë vendin përbën një investim të rëndësishëm për rininë, shëndetin dhe të ardhmen e Kosovës, duke synuar krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve rekreative.

Të ngjashme